Avdullahu në 11-shen e javës në Bundesligë
Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Leon Avdullahu, është vlerësuar lart për paraqitjen e tij të fundit me Hoffenheimin.
Avdullahu është përfshirë në ekipin më të mirë të xhiros së shtatë në Bundesligë, të publikuar nga revista e njohur gjermane “Kicker”, pas paraqitjes së mirë në fitoren 3:0 ndaj Bayer Leverkusenit.
Mesfushori 22-vjeçar ka qenë një nga lojtarët më të spikatur në këtë triumf. Krahas lojës së mirë në fushë, ai është ndëshkuar edhe me karton të verdhë.
Përveç Avdullahut, Hoffenheimin në 11-shen më të mirë të javës e përfaqëson edhe sulmuesi Andrej Kramariq.
Deri më tani, Avdullahu ka regjistruar shtatë paraqitje dhe një gol në kampionatin gjerman, ndërsa Hoffenheimi renditet në vendin e dhjetë me 14 pikë të grumbulluara.
Pjesë e Hoffenheimit janë edhe dy futbollistët e tjerë të Kosovës, sulmuesi Fisnik Asllani dhe mbrojtësi Albian Hajdari.




