Vështrim – Festivali Folklorik Mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës”, 26–27 qershor 2026, Memaliaj, Shqipëri
Dr. sc. Bekim Vishaj
26.06.2026, në Memaliaj. Sapo hyjmë në Memaliaj, ngado ndihet dhe shihet se qyteti është në festë. Kjo vërtetohet menjëherë në qendër (shesh) të qytetit, njerëz të buzëqeshur e të dashur dhe shumë mikpritës, shohim numër të madh artistësh e grupe folklorike që këndojnë e vallëzojnë në çdo cep. Dikush tjetër vërehej duke u përgatitur për prezantimin e tyre në skenën e festivalit, (grupet duke bërë prova me orkestër dhe instrumentet e tyre, e disa të tjerë duke i provuar vallet dhe lëvizjet skenike, secili përkujdesej për gardërobën e tyre). Aty, takova miq nga mbarë hapësira shqiptare, disa prej tyre kanë ardhur për të përformuar, e disa të tjerë për të ndjekur festivalin.
Teksa i afrohemi skenës, dallojmë se ajo është madhështore, e përgatitur me shije dhe profesionalizëm të lartë. Gjithashtu, në shesh reflektonte si rreze drite ekspozita që kishte vlera të mëdha artistike, me dhjetëra fotografi nga dy edicionet e kaluara. Aty gjeta edhe veten në një fotografi nga viti i kaluar, së bashku me Naimin dhe Jetonin (kur përformuam në skenën e festivalit – edicionin e kaluar).
Në shesh e takuam Drejtorin Artistik të festivalit, z. Viktor Aliun, i cili na priti me një dashamirësi vëllazërore dhe mikpritje të përzemërt, si vëllezër të një gjaku. Ndërkohë, u takuam edhe me znj. Enkelejda Fejzo, Menaxheren e Projektit, e cila na njoftoi me agjendën e përgjithshme, në bisedë e sipër u sqaruam për çdo detaj. Tashmë presim vetëm të fillojmë me edicionin e ri të festivalit, sapo të largohet shiu që ka përfshirë të gjithë zonën. Nga atmosfera në ktët fillim ngjarje kulturore, ju themi: Ju lumtë të gjithë atyre që organizojnë dhe kontribuan në këtë ngjarje kulturore-mbarëkombëtare.
Festivali – Edicioni i III-të
Ky edicion i tretë i Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës” është organizuar nga Shoqata “AlbAccess Open”, me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës (MTKS) dhe Bashkisë Memaliaj, nën drejtimin e kryetarit z. Albert Malaj. Drejtuesit kryesorë të kësaj ngjarjeje ishin Drejtor Artistik z. Viktor Aliu dhe Menaxherja e Projektit znj. Enkelejda Fejzo.
Programi artistik i shfaqur nga grupet konkurruese dhe paraqitja e tyre në skenën e festivalit
Festivali “Jehona e Vjosës” promovoi një mesazh të qartë dhe të fuqishëm për ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e vlerave kulturore, shpirtërore dhe historike kombëtare. Në skenën e tij madhështore për dy netët konkurruese u bënë bashkë mbi 25 grupe polifonike dhe rreth 500 artistë nga Labëria në Drenicë e deri në Ulqin, duke përfshirë diasporën dhe treva të ndryshme të Shqipërisë. Me programin e tyre artistik përformuan shumë grupe polifonike nga Vlora, Selenica, Mallakastra, Tepelena, Gjirokastra, Delvina, Saranda, Himara, etj. Po ashtu grupet tjera artistike (nga hapësirat tjera shqiptare) në skenë u ngjitën vallet, këngët dhe rapsoditë e Tropojës, Malësisë së Madhe, Matit, Dibrës, Kamzës, Librazhdit, Gramshit, Përmetit dhe Kolonjës, larmi vlerash, nivele të larta artistike.
Përmes këngëve, valleve dhe lojërave tradicionale, ata sollën para publikut pasurinë e madhe të folklorit tonë burimor.
Në skenë nga grupet e shumta konkurruese u prezantuan thesare të vjetra për dy netë me radhë: Këngë me iso (polifonia labe dhe toske; Këngë me lahutë dhe çifteli; valle tradicionale dyshe dhe valle me koreografi; Orkestra me çifteli, melodi me fyej, kavall (kavalle), saze dhe instrumente të tjera autoktone.
Me rëndësi të veçantë dhe kureshtje u përcollën vallet tradicionale të Veriut (si K’cimi i Tropojës), ato të Ulqinit dhe të Jugut të Shqipërisë. Veshjet tradicionale shumëngjyrëshe, të trashëguara brez pas brezi, dëshmuan larminë dhe bukurinë e kulturës sonë.
Gjithashtu, mjaft interesante ishte pjesëmarrja e gjerë gjinore dhe e të gjitha moshave (fëmijë, të rinj, moshë e mesme dhe të moshuar), gjë që synon promovimin e talenteve të reja dhe bartjen e traditës nga brezi në brez. Një vëmendje e veçantë iu kushtua vlerave tona kulturore (shpirtërore) që janë pjesë e UNESCO-s, si: Polifonia Labe, Lahuta, Xhubleta dhe K’cimi i Tropojës.
Të gjitha këto vlera e shndërruan festivalin në një urë lidhëse mes të kaluarës dhe të tashmes, duke ndërtuar të ardhmen kulturore dhe duke frymëzuar brezat e rinj për të forcuar identitetin kombëtar. Festivali shënoi një sukses të plotë në përmbushjen e objektivave kulturore, ekonomiko-sociale dhe turistike për të gjithë rajonin dhe posaçërisht për qytetin Memaliaj.
Përveç vlerave që prezantuan grupet pjesëmarrëse-konkurruese në festival, Juria Profesionale e Festivalit evidentoj edhe disa mangësi – dobësi (të rastit) në organizimin teknik të disa prej grupeve pjesëmarrëse që ndikuan në vlerësimin e përgjithshëm për fituesit e festivalit. Disa prej grupeve kishin mungesë organizimi në paraqitjen e tyre skenike, mospërputhje në veshjet tradicionale apo në paraqitjen e kostumeve brenda të njëjtit grup, disa tjera nuk e respektuan minutazhin e përcaktuar nga rregullorja e festivalit, u penalizuan nga Juria, sipas rregullave të Festivalit.
Profesori Xheladin Beqiri (Kryetar Jurie), Feti Zeneli – poet, krijues (gazetar) dhe unë, Bekim Vishaj, patëm nderin dhe përgjegjësinë të ishim pjesë e jurisë në këtë edicion të Festivalit.
Me përgjegjësi dhe paanshmëri maksimale u munduam të vlerësonim paraqitjet artistike, duke çmuar cilësinë e interpretimit, autenticitetin, veshjet kombëtare dhe performancën skenike të secilit grup. Obligim i vështirë, i sfidueshëm por edhe me përgjegjësi profesionale. Urime fituesve !
Organizimi profesional dhe teknik i Festivalit
Për dy net më radhë, koordinimi mes Shoqatës “AlbAccess Open” dhe Bashkisë Memaliaj ishte i shkëlqyer. Mikpritja e pjesëmarrësve, menaxhimi i kohës dhe i hapësirës, skena, ndriçimi dhe zërimi profesional ishin në funksion të plotë të performances për grupet artistike. Sistemi i programit i ndarë në dy netë me grupet artistike pjesëmarrëse, komunikim i shpejt dhe i qartë me skenën (artistët në skenë koordinuar me drejtuesit e Festivalit), moderimi i shkëlqyeshëm nga znj. Migena Kraha dhe z.Ermir Hoxha.
Atmosfera e ngrohtë dhe pjesëmarrja e madhe e publikut e bënë këtë aktivitet një festë të vërtetë të kulturës shqiptare, duke përcjellë mesazhin se tradita, historia dhe arti popullor mbeten themeli i identitetit tonë kombëtar.
Rekomandime për Organizatorët, Grupet Folklorike dhe Institucionet e Kulturës:
Përzgjedhja e grupeve për festivale është thelbësore dhe e rëndësishme. Organizatorët duhet të fokusohen tek autenticiteti – origjinaliteti i grupeve, repertori origjinal i trevës së tyre dhe veshjet tradicionale përkatëse, duke ruajtur kriterin e përfaqësimit të të gjitha trojeve shqiptare.
Për grupet që synojnë performanca të suksesshme në festivalet kombëtare dhe ndërkombëtare, rekomandojmë të bazohen sa më shumë në këto kritere:
– Programi artistik (vallet, këngët dhe ritet) të ruajë origjinalitetin e rajonit (Autenticiteti i Trashëgimisë).
– Veshjet tradicionale duhet të jenë të kompletuara, të pastra dhe sa me origjinale të zonës që përfaqësojnë (nëse janë imitime, të jenë sa më të përafërta me origjinalin).
– Angazhimi i Profesionistëve: Në këto grupe dhe ansamble të angazhohen më tepër muzikantë, koreografë e etnologë të fushës, për të mbrojtur origjinalitetin e krijimeve popullore.
– Respektimi i kohës (minutazha) së përcaktuar nga organizatori për grupet konkurruese në festival.
– Komunikimi më i afërt në mes të organizatorit, grupeve pjesëmarrëse, jurisë dhe mediave.
Mbështetje Institucionale: Institucionet e nivelit lokal dhe qendror duhet t’i ndihmojnë më shumë këto grupe dhe festivale, pasi ato mbajnë peshën kryesore dhe me të madhe në ruajtjen e folklorit me impakt në zhvillimin e turizmit kulturor.
Festivali Folklorik “Jehona e Vjosës” tashmë është një ngjarje e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare, ku çdo grup (anekënd trojeve shqiptare) synon pjesëmarrjen.
Krejt në fund, një falënderim i veçantë për ideatorin dhe realizuesin e këtij festivali, Drejtorin Artistik z. Viktor Aliu.
Faleminderit nga zemra për punën e palodhshme, përkushtimin dhe organizimin e mrekullueshëm të festivalit. Ky Festival solli emocione të paharrueshme, atmosferë e pa imagjinuar duke promovuar më së miri vlerat tona artistike e kulturore.
Puna e bërë në çdo detaj dëshmoi dashuri të madhe për artin dhe komunitetin. Atmosfera: Krijoi një hapësirë ku secili u ndje i mirëpritur dhe i frymëzuar.
Organizatori, puna në Grup (koordinimi i shkëlqyer i stafit organizativ).
Faleminderit artistëve, mbështetësve, partnerëve dhe secilit prej jush që dha kontributin e tij. Faleminderit publikut që mbushi sheshin e qytetit, publik me energjinë e tij shumë pozitive.
“JEHONA E VJOSËS”, iveçantë si Festival!
Sepse, Skena e festivalit ndan hapësirën (pothuajse të barabartë) mes zhanreve kryesore të folklorit burimor shqiptar, epikës veriore (këngët me lahutë e çifteli) dhe lirikës jugore (isopolifonisë labe e toske).
Faleminderit dhe suksese të mëtejme mediave (elektronike dhe të shkruara) vendore, promovim i shkëlqyeshëm i Festivalit.
Suksese të mëtejshme festivalit dhe organizatorit!



