Zbardhen detaje nga nata e zgjedhjes së presidentes: Telefonatën ajo nuk e ka pranuar nga Kurti, por nga PDK-ja

11 nëntor 2026 | 11:44

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka dhënë detaje interesante për natën kur është zgjedhur presidente Justina Shiroka-Pula.

Janë zbardhur detaje interesante nga nata e 6 tetorit, kur është votuar Ligji për Gjykatën Speciale dhe është zgjedhur presidentja Justina Shiroka-Pula.

Në natën më të gjatë të këtij viti, brenda pak orësh duket se kanë ndodhur shumë zhvillime.

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka zbuluar disa detaje interesante nga orët e vona të asaj nate.

Ajo ka bërë me dije se nata e 6 tetorit ka qenë dramatike.

Gjatë një interviste në “Rubikon”, Çitaku ka bërë me dije se Shiroka-Pula telefonatën nuk e ka pranuar nga Albin Kurti, por nga PDK-ja.

Çitaku ka treguar se Shiroka-Pula është kontaktuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së.

“Zonjën Justina Shiroka-Pula, kur e kemi ftuar, kur e kemi thirrur atë natë në telefon për t’i kërkuar lejen, ajo telefonatën nuk e ka pranuar nga z. Kurti, e ka pranuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së”, ka thënë Çitaku, duke mohuar se ajo është caktuar nga lideri i LV-së, Albin Kurti.

“Nuk kisha me thanë se ai e caktoi kandidatin, se kandidati i tij ka qenë dikush tjetër. Ka qenë fillimisht z. Bekim Sejdiu”, është shprehur ish-kryetarja e PDK-së.

Çitaku nuk ka treguar se kush nga PDK-ja e ka kontaktuar presidenten.

Sipas saj, deri në atë moment nuk është folur për emra me LV-në.

“Në asnjë moment kryetari Hamza nuk ka folur për emra (me Kurtin), nuk ka mbërritur puna deri aty që të diskutohet për emra”, është shprehur ajo.

Ajo ka bërë me dije se presidentja e re është person me integritet dhe nuk është vegël e askujt.

“E dimë saktësisht që nuk është vegël politike partiake e askujt. Një grua me integritet, një grua e cila këtë pozitë pesëvjeçare do ta ruajë edhe për hir të trashëgimisë së saj, nuk do ta njollosë zonja Shiroka-Pula veten. Ne i besojmë”, ka thënë ajo.

Çfarë kishte thënë Kurti?

Edhe lideri i LV-së, Albin Kurti, në natën e 6 tetorit e kishte pranuar se nuk kishte folur me Justina Shiroka-Pulën për çështjen e presidentit.

Në konferencën e tretë për media të asaj dite, kur ai e propozoi kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për presidente, Kurti e kishte ftuar PDK-në që të fliste me Shiroka-Pulën.

Sipas tij, ajo kishte qenë ministre e PDK-së dhe ata duhej të flisnin me të.

“Ajo ka qenë ministre e PDK-së, le ta bind kryetari Bedir Hamza, unë jam dakord”, kishte thënë Kurti në konferencë për media, pak para mesnatës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
E ardhmja e Edon Zhegrovës te Juventusi është vënë në…