Diskutohen mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe IRI-t
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, priti në takim drejtorin e lartë për Evropë dhe Euroazi në Institutin Republikan Ndërkombëtar (IRI), Stephen B. Nix, me të cilin diskutoi për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe bashkëpunimin shumëvjeçar me këtë institut.
Presidentja Shiroka-Pula vlerësoi kontributin e IRI-së në avancimin e demokracisë dhe forcimin e institucioneve demokratike në Kosovë, veçanërisht në mbështetjen për partitë politike, përmirësimin e organizimit të tyre dhe zhvillimin e komunikimit me qytetarët.
Ajo çmoi gjithashtu bashkëpunimin me Kuvendin dhe angazhimin për fuqizimin e grave në politikë dhe në vendimmarrje.
Duke folur për zhvillimet në vend, presidentja theksoi se konsolidimi i demokracisë kërkon institucione funksionale, respektim të ndarjes së pushteteve, pavarësi të gjyqësorit dhe përgjegjësi institucionale.
Ajo nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së rendit kushtetues, respektimit të kompetencave të secilit institucion dhe forcimit të besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.
Në takim u diskutua edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe IRI-t, me fokus në edukimin demokratik, luftimin e dezinformimit, promovimin e debatit politik, si dhe për çështje që ndërlidhen me sigurinë rajonale dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.



