AKK-ja u përcjell deputetëve kërkesat e komunave për projektbuxhetin e vitit 2027
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ua ka përcjellë deputetëve të Kuvendit të Kosovës një sërë kërkesash lidhur me projektbuxhetin e vitit 2027, duke kërkuar ndryshime në ndarjet buxhetore për të siguruar financimin e shërbimeve komunale dhe vazhdimin e investimeve kapitale.
Në kërkesën e nënshkruar nga kryetari i AKK-së, Agim Aliu, thuhet se ndryshimet e propozuara synojnë edhe mbulimin e detyrimeve financiare të komunave nga politikat qendrore.
Sipas analizës së AKK-së, për vitin 2027 parashihet rritje e të hyrave vetanake të komunave për 8.679.133 euro, por njëkohësisht ulje e grantit për arsim për 8.991.013 euro dhe e grantit për shëndetësi për 1.658.839 euro, krahasuar me vitin 2026.
Ndërkaq, financimi nga huamarrja parashihet të rritet për 630.020 euro. AKK-ja vlerëson se ulja e kombinuar e granteve për arsim dhe shëndetësi arrin në 10.649.852 euro.
Një ndër çështjet e ngritura ka të bëjë edhe me zotimet shumëvjeçare dhe ndërlidhjen e sistemeve buxhetore SIMFK dhe BDMS.
AKK-ja kërkon që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve të paraqesë një plan me afate konkrete për ndërlidhjen funksionale të këtyre sistemeve, në mënyrë që të mundësohet regjistrimi dhe përcjellja e kontratave dhe zotimeve shumëvjeçare.
Po ashtu, kërkohet harmonizimi i ndarjeve buxhetore për vitet 2027–2029 me kontratat ekzistuese të komunave, me qëllim të shmangies së vonesave në pagesa, detyrimeve të papaguara dhe kostove shtesë.
Në dokument, Asociacioni kërkon edhe transparencë më të madhe në shpërndarjen e investimeve të ministrive sipas komunave, projekteve dhe burimeve të financimit.
Sipas analizës së AKK-së, janë identifikuar 303 projekte të ministrive me financim pozitiv për vitin 2027, në vlerë prej 168.291.390 eurosh.
Megjithatë, thuhet se ky inventar nuk përfshin të gjitha buxhetet kapitale të ministrive dhe nuk paraqet një shpërndarje të plotë të projekteve kombëtare apo shumëkomunale.
Ndër kërkesat e tjera janë edhe përcaktimi i afateve dhe përgjegjësive për bartjen dhe vënien në dispozicion të të hyrave vetanake të komunave, si dhe funksionalizimi i sistemit të tatimit në pronë.
AKK-ja u ka bërë thirrje deputetëve që gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit të vitit 2027 në komisionet parlamentare dhe në seancë plenare t’i trajtojnë këto kërkesa dhe t’i mbështesin përmes amendamenteve përkatëse.
Gjithashtu, Asociacioni ka kërkuar organizimin e një dëgjimi të përbashkët me AKK-në, Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Thesarin dhe ministritë përgjegjëse, para përfundimit të shqyrtimit të amendamenteve.



