Pas tetë vitesh në krye të Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta emërohet këshilltar i drejtorit rajonal në Ferizaj

16 nëntor 2026 | 23:59

Pas tetë vjetësh në pozitën e drejtorit rajonal të Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta është emëruar këshilltar i drejtorit rajonal në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Ferizaj.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Graishta, përmes një njoftimi drejtuar kolegëve, ku ka falënderuar zyrtarët policorë për bashkëpunimin, profesionalizmin dhe angazhimin gjatë viteve të shërbimit në Gjakovë.

Ai ka thënë se lëvizjet e personelit janë procese të vazhdueshme në një organizatë me mbi 10 mijë punonjës, siç është Policia e Kosovës, duke vlerësuar se ndryshimet në strukturat drejtuese janë të nevojshme për funksionimin më të mirë të institucionit.

Graishta ka përmendur edhe dy arsye që, sipas tij, e bëjnë të domosdoshëm rotacionin e kuadrove komanduese pas një periudhe të gjatë në të njëjtën pozitë.

“Pas një periudhe 7-8 vjeçare në të njëjtin pozicion është e pamundur të mos familjarizohesh me personelin, rrethin dhe ambientin ku punon”, ka shkruar ai.

Sipas Graishtës, një familjarizim i tillë mund të ndikojë edhe në procesin e vendimmarrjes.

“Pas përafrimit (familjarizimit) me të lartpërmendurit, me ose pa dashje, me ose pa vetëdije, shpeshherë kufizohesh në vendimmarrje, e krejt kjo frenon në masë të madhe funksionimin normal të organizatës/institucionit”, ka theksuar ai.

Ai ka shtuar se risistemimi i stafit komandues duhet t’i shërbejë operacionalitetit dhe funksionalitetit më të mirë të Policisë së Kosovës, duke marrë parasysh performancën, gatishmërinë dhe aftësitë profesionale të punonjësve.

Në fund të mesazhit të tij, Graishta ka theksuar se, pavarësisht pozitës apo vendit ku do të shërbejnë, detyrimi ndaj vendit mbetet i njëjtë.

“Megjithatë, ku do e si do që të jemi, Atdheut tonë të dashur do t’i shërbejmë me nderë”, ka përfunduar Graishta.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një incident u regjistrua në paraqitjen e fundit publike të…