Reagon ‘VITA’: Kërkojmë transparencë dhe hetim nga prokuroria
Qumështorja “VITA” ka reaguar pas dyshimeve të fundit të ngritura për sigurinë e produkteve të saj, duke kërkuar që institucionet përgjegjëse të sigurojnë transparencë të plotë dhe që Prokuroria e Shtetit të nisë hetimet për këtë çështje.
Në reagimin e saj, kompania ka bërë me dije se që nga 2 korriku janë marrë më shumë se 650 mostra dhe janë realizuar mbi 30 inspektime, por ka pretenduar se deri më tani nuk i ka pranuar rezultatet e analizave laboratorike.
Sipas “VITA”-s, gjatë kësaj periudhe ndaj produkteve të saj janë ngritur disa dyshime, fillimisht për përdorimin e vajit të palmës, më pas për qumësht pluhur dhe ujë pusi. Kompania ka thënë se këto pretendime nuk janë dëshmuar.
Ndërkohë, së fundmi është ngritur edhe një pretendim lidhur me një mostër prej një litri qumësht, ku dyshohet se një lot i prodhimit ka pasur nivel të aflatoksinës M1 mbi kufirin e lejuar.
Për këtë arsye, “VITA” ka kërkuar që Prokuroria ta shqyrtojë në mënyrë të detajuar të gjithë procesin, përfshirë marrjen dhe transportimin e mostrave, analizat laboratorike dhe veprimet e institucioneve të përfshira.
Po ashtu, kompania ka kërkuar që t’i vihen në dispozicion rezultatet e analizave dhe që mostra e kontestuar të dërgohet për verifikim të pavarur.
“VITA” ka theksuar se gjatë 25 vjetëve të operimit nuk ka pasur raste të dëmtimit të shëndetit të konsumatorëve nga produktet e saj, duke shtuar se prodhimi bazohet në qumësht vendor.
“Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë drejtësi, trajtim të barabartë dhe që e vërteta të dalë në dritë”, thuhet në reagimin e kompanisë.



