Ministrja Kusari-Lila prezantoi reformat për rritjen e prodhimit vendor dhe zëvendësimin e importeve
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, mori pjesë në darkën e diskutimit me temën “The Future of Business: From Opportunity to Investment”, ku në prani të kryeministrit Albin Kurti dhe përfaqësuesve të sektorit privat u diskutuan objektivat zhvillimore dhe masat konkrete për rritjen e prodhimit vendor dhe eksporteve.
Në këtë aktivitet, të organizuar në bashkëpunim me Data4X, të themeluar nga Shpend Ahmeti dhe bashkëthemeluesen Flandra Marmullaku, diskutimi u përqendrua në Agjendën “1 Miliard”, si synim për rritjen e vlerës së prodhimit vendor, zëvendësimin e importeve dhe forcimin e kapaciteteve prodhuese të Kosovës.
Në panelin e parë, të moderuar nga Linda Shala, me temën “Çfarë duhet të ndryshojë për të zhbllokuar Agjendën 1 Miliard Euro?”, morën pjesë ndërmarrësit Xhevdet Rexhepi nga Viva Fresh, Shaqir Palushi nga Frutex dhe Burim Piraj nga Meka.
Diskutimi u përqendrua në hapat që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe sektori privat për të krijuar kushte më të favorshme për rritjen e prodhimit vendor.
Ministrja Kusari-Lila bëri të ditur se Qeveria synon që deri në fund të këtij viti të miratojë dhe të fillojë zbatimin e Ligjit për Kamatëvonesat, ndërsa gjatë vitit 2027 të miratojë Ligjin për Tregtinë e Brendshme. Po ashtu, është duke u punuar në ndryshimin e Ligjit për Prokurimin Publik, me qëllim të lehtësimit të përfshirjes së prodhimit vendor në kontratat publike.
Një tjetër masë e prezantuar është vlerësimi i të gjitha lejeve dhe licencave, me synimin për të eliminuar ato që janë të panevojshme dhe për të lehtësuar të bërit biznes. Këto masa synojnë të krijojnë kushte më të përshtatshme për kompanitë që operojnë në Kosovë dhe të nxisin investimet afatgjata.



