Seanca e Kuvendit s’ka nisur ende, ishte paraparë të fillonte në orën 10:00
Seanca e Kuvendit të Kosovës, e paraparë të fillonte në orën 10:00, nuk ka nisur në kohën e planifikuar.
Në rendin e ditës së kësaj seance janë paraparë votimi i dy propozim-rezolutave dhe rishqyrtimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Pikat që pritet të shqyrtohen përfshijnë votimin e Propozim-Rezolutës nga interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila mbeti katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.
Po ashtu, në rend dite është votimi i Propozim-Rezolutës nga mocioni përmbajtjesor për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Pikë tjetër është rishqyrtimi i Ligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i kthyer në Kuvend nga presidentja e Republikës së Kosovës.



