Platforma eKosova ofron mbi 340 shërbime elektronike për më shumë se 1.2 milion përdorues
Ministri i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu, ka bashkëkryesuar në Prishtinë, së bashku me shefin e Njësisë për Kosovën në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore (DG ENEST) të Komisionit Evropian, Jiri Plecity, Takimin e 14-të të Grupit të Veçantë për Reformën e Administratës Publike ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Gjatë këtij takimi është diskutuar progresi në reformën e administratës publike, sfidat e mbetura dhe prioritetet për periudhën e ardhshme, në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Ministri Jagxhiu ka prezantuar avancimin e reformave në shërbimin civil, përfshirë fillimin e rekrutimit të centralizuar, miratimin e rregulloreve për organizimin e brendshëm të institucioneve dhe racionalizimin e agjencive.
Ai ka theksuar se platforma eKosova tashmë ofron mbi 340 shërbime elektronike për më shumë se 1.2 milion përdorues të regjistruar, ndërsa përmes programit për zvogëlimin e barrës administrative janë thjeshtuar mbi 730 shërbime publike.
Jagxhiu ka veçuar edhe lansimin e Platformës Kombëtare të Identifikimit Elektronik dhe Kuletës Digjitale, si dhe ndërlidhjen teknike të Sistemit të Informacionit për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore me sistemin e pagave të Thesarit.
Sipas tij, Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026 njeh progresin në disa prej këtyre fushave, përfshirë rekrutimin e centralizuar, zvogëlimin e barrës administrative dhe zgjerimin e shërbimeve digjitale.
Ministri Jagxhiu ka theksuar se prioritet mbetet zbatimi i reformave dhe shndërrimi i tyre në rezultate konkrete e të matshme, duke nënvizuar se cilësia e administratës publike vlerësohet edhe përmes funksionimit të institucioneve dhe shërbimeve që u ofrohen qytetarëve.
Në fund, ai ka falënderuar Komisionin Evropian, Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe OECD/SIGMA për bashkëpunimin dhe mbështetjen në avancimin e reformës së administratës publike.



