Djali i Jakup Krasniqit gjatë përurimit të lapidarit kushtuar babait të tij: Drejtësia do të triumfojë

26 nëntor 2026 | 12:47

Në fshatin Negroc të Drenasit, sot është bërë përurimi i lapidarit kushtuar Jakup Krasniqit, si dhe i simbolit me tri shkronjat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Një fjalim e ka mbajtur djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, i cili i ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar dhe që vazhdojnë të tregojnë mbështetje e respekt për familjen e tij.

Në fjalën e tij, Krasniqi ka shprehur mirënjohjen e familjes për përkrahjen e vazhdueshme ndaj babait të tij, duke theksuar se ky vlerësim ka domethënie të veçantë për ta, sidomos në kohë të vështira.

“Në emër të familjes sonë, ju shprehim mirënjohje të thellë për mbështetjen, respektin dhe vlerësimin që ia keni dëshmuar vazhdimisht familjarit, kushëririt dhe mikut tuaj, Jakup Krasniqit. Për ne, kjo mbështetje ka një domethënie të veçantë. Ajo na jep forcë dhe na dëshmon se respekti, solidariteti dhe mirënjohja e njerëzve mbeten të palëkundura edhe në kohët më të vështira”, ka thënë ai.

Në fund të fjalimit, Altin Krasniqi ka shprehur shpresën se drejtësia do të triumfojë dhe se të gjithë çlirimtarët do të kthehen sa më parë në atdhe, pranë familjeve dhe njerëzve të tyre.

“Shpresoj dhe besoj se drejtësia do të triumfojë dhe të gjithë çlirimtarët do të kthehen sa më parë në atdheun e tyre, pranë familjes dhe njerëzve të tyre. Faleminderit nga zemra të gjithëve”, ka përfunduar ai.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim…