Nesër përfundon afati për apelimin e dënimit ndaj krerëve të UÇK-së
Nesër (e premte) përfundon afati që mbrojtja e krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të njoftojë apelimin e vendimit dënues të gjykatës së shkallës së parë.
Tashmë, avokatët e katërshes së UÇK-së kanë bërë me dije se do ta kundërshtojnë dënimin e ish-udhëheqësve, pasi i kanë vlerësuar dënimet si të padrejta.
Përveç tyre, në anën tjetër është edhe Prokuroria e Speciales, e cila po ashtu ka paralajmëruar mundësinë e apelimit. Por ende nuk është bërë me dije nëse Prokuroria e ka kundërshtuar vendimin e gjykatës.
Në rast të apelimit, Gjykata e Apelit do t’i shqyrtojë pretendimet e palëve dhe ligjshmërinë e aktgjykimit, pa e përsëritur procesin gjyqësor në tërësi.
Sa i përket këtij procesi, nuk ka afat të caktuar se kur pritet të përfundojë. Megjithatë, njohës të fushës kanë paralajmëruar se procesi në Apel mund të zgjasë rreth një vit.
Ndryshe, dënimi i krerëve të UÇK-së në shtator ka ngjallur reagime dhe kundërshtime të shumta. Këto reagime janë përkthyer në protesta masive për disa ditë rresht.
Gjatë këtyre zhvillimeve është hedhur edhe ideja e ndryshimit të Ligjit të Speciales. Protestuesit kanë kërkuar që ky ligj të miratohet në Kuvend, duke paralajmëruar edhe forma të tjera të protestës, përveç atyre paqësore, në rast të mosvotimit të tij.
Ligji fillimisht është votuar, por ndërkohë është kërkuar kthimi i tij në Kuvend, gjë që është bërë me vendim të presidentes. Një draft i ri lidhur me këtë ligj është paralajmëruar se së shpejti do të dërgohet në Kuvend për miratim.



