Guvernatori Ismaili në BQE: Forcimi i dialogut për qëndrueshmërinë ekonomike dhe të ardhmen e pagesave evropiane
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga zëvendësguvernatori Dardan Fusha, mori pjesë në Seminarin e Këshillit të Përgjithshëm me bankat qendrore të vendeve kandidate dhe kandidate potenciale për anëtarësim në BE, të mbajtur në Bankën Qendrore Evropiane (BQE) në Frankfurt.
Seminari mblodhi guvernatorët e bankave qendrore për të shkëmbyer pikëpamje mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare, efektet e tyre ndërkufitare dhe sfidat e përbashkëta të bankave qendrore.
Gjatë diskutimit për lidhjet ekonomike dhe financiare me BE-në dhe eurozonën, Guvernatori Ismaili vuri në pah lidhjet e ngushta ekonomike të Kosovës me BE-në dhe qëndrueshmërinë e sistemit të saj financiar.
Ai theksoi se për Kosovën, si ekonomi e vogël, e hapur dhe plotësisht e euroizuar, euroja shërben si një spirancë e fortë nominale, ndërsa zhvillimet ekonomike dhe financiare në eurozonë mund të përcillen me shpejtësi në ekonominë vendore.
“Për Kosovën, integrimi më i thellë me BE-në është një rrugë drejt konvergjencës dhe një burim qëndrueshmërie, konkurrence dhe prosperiteti afatgjatë”, tha Guvernatori Ismaili.
Guvernatori Ismaili mori pjesë gjithashtu në një diskutim me anëtarin e Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Piero Cipollone, dhe guvernatorët e bankave qendrore pjesëmarrëse mbi zhvillimet në pagesat evropiane. Diskutimi përfshiu pagesat e shpejta, Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), euron digjitale dhe zhvillimet lidhur me paranë e bankës qendrore për transaksione me shumicë.
Guvernatori Ismaili prezantoi përparimin e Kosovës drejt përfshirjes në SEPA, duke përmendur aplikimin zyrtar të dorëzuar në Këshillin Evropian të Pagesave më 6 nëntor 2026.
Ai theksoi rëndësinë e pagesave ndërkufitare në euro më të shpejta, më të sigurta dhe më të përballueshme për qytetarët dhe bizneset e Kosovës.
Gjithashtu, ai vuri në pah fillimin e funksionimit të Sistemit të Pagesave të Shpejta të Kosovës (TIPS-K), i cili përdor platformën TIPS Clone, të zhvilluar dhe të operuar nga Banka e Italisë (Banca d’Italia), si një hap në modernizimin e infrastrukturës së pagesave në Kosovë.
Guvernatori theksoi se për Kosovën, si ekonomi e euroizuar, është me rëndësi të ndjekë zhvillimet lidhur me euron digjitale dhe të mbajë dialog të afërt teknik me homologët evropianë mbi zhvillimet në fushën e pagesave në Evropë.
BQK-ja do të vazhdojë bashkëpunimin dhe dialogun profesional me bankat qendrore dhe institucionet evropiane për të mbështetur stabilitetin financiar, për të modernizuar infrastrukturën financiare të Kosovës dhe për të harmonizuar më tej sektorin e saj financiar me standardet përkatëse evropiane.



