Çitaku: Kemi miratuar strategjinë për mbrojtjen e çlirimtarëve në apel, drafti për Specialen është harmonizuar nga ekspertët juridikë

26 nëntor 2026 | 15:14

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se janë shënuar zhvillime të reja në kuadër të angazhimeve për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, si dhe lidhur me iniciativën e re ligjore për Dhomat e Specializuara, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media, Çitaku ka njoftuar se tashmë është pranuar drafti i iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara, i cili është hartuar dhe harmonizuar nga ekspertë juridikë.

Ajo ka bërë të ditur se këtë draft ua ka prezantuar anëtarëve të grupit strategjik në mbledhjen e mbajtur një ditë më parë.

“Sot, pas disa ditësh punë intensive, kam kënaqësinë t’ju konfirmoj disa zhvillime të reja dhe tejet të rëndësishme për mbrojtjen e çlirimtarëve tanë në Hagë dhe për iniciativën e re ligjore për Dhomat e Specializuara. Jo sepse konsideroj pse kemi bërë diçka të jashtëzakonshme, por sepse po përmbushim një detyrë dhe një premtim që kemi marrë publikisht para qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka bërë të ditur se drafti i iniciativës së re ligjore është pranuar dy ditë më parë, ndërsa një ditë më pas është prezantuar para të gjithë anëtarëve të grupit strategjik.

“E para: para dy ditësh kam pranuar draftin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara, të hartuar dhe të harmonizuar nga ekspertë juridikë. Dje, në mbledhjen e radhës të grupit strategjik, ua kam prezantuar këtë draft të gjithë anëtarëve të grupit”, ka thënë ajo.

Duke folur për përmbajtjen dhe qëllimin e kësaj iniciative, Çitaku ka theksuar se synimi është garantimi i një procesi të drejtë gjyqësor, respektimi i të drejtave themelore të njeriut dhe krijimi i mekanizmave të mbikëqyrjes institucionale, pa ndërhyrë në pavarësinë e gjyqësorit.

Ajo ka mohuar se iniciativa ka për qëllim shmangien apo pengimin e drejtësisë, duke theksuar se kërkesat e tyre lidhen me respektimin e standardeve ndërkombëtare dhe parimeve të një procesi të drejtë gjyqësor.

“Qëllimi i iniciativës sonë mbetet i pandryshuar: të garantojmë një proces të drejtë gjyqësor, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe mekanizma të mirëfilltë të mbikëqyrjes institucionale duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit. Në asnjë moment — dhe kjo është shumë e rëndësishme të thuhet — në asnjë moment nuk kemi synuar t’i ikim drejtësisë apo ta pengojmë atë”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo e ka përsëritur se kërkesa e tyre është që Dhomat e Specializuara të veprojnë në përputhje me parimet mbi të cilat janë themeluar, duke garantuar të drejtat e njeriut, barazinë e armëve dhe standardet evropiane.

“Po e ripërsëris. Kërkesa jonë është një dhe e pandryshueshme: që kjo gjykatë t’i respektojë parimet mbi të cilat është ndërtuar, të respektojë të drejtat e njeriut, të respektojë barazinë e armëve dhe të respektojë standardet evropiane”, ka theksuar ajo.

Në konferencë, Çitaku ka njoftuar edhe për miratimin e strategjisë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në fazën e apelit.

Sipas saj, kjo strategji është hartuar me kontributin e ekspertëve, institucioneve dhe përfaqësuesve të të gjitha partive parlamentare shqiptare në Kuvendin e Kosovës.

Ajo ka vlerësuar se tashmë ekziston një dokument i përbashkët, i cili do të shërbejë si bazë për organizimin e angazhimit të shtetit të Kosovës në këtë proces.

“E dyta. Dje në mbledhjen e grupit strategjik kemi miratuar strategjinë për mbrojtjen e çlirimtarëve në apel. Kjo strategji është hartuar me kontributin e ekspertëve, institucioneve dhe përfaqësuesve të të gjitha partive parlamentare shqiptare në Kuvendin e Kosovës. Tashmë kemi një dokument të përbashkët, mbi të cilin, mbi bazën e të cilit, shteti i Kosovës do të organizojë angazhimin e tij në këtë proces”, ka bërë të ditur Çitaku.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, së bashku…