Kurti në Tiranë: Kosova i ka përmbushur marrëveshjet e mobilitetit, kërkon statusin e kandidatit në BE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në Tiranë në Samitin e gjashtë të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ku është diskutuar për reformat dhe integrimin gradual të vendeve të rajonit në Tregun e Vetëm të Bashkimit Evropian.
Kurti ka bërë të ditur se në këtë samit, së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, përfaqësuesit e vendeve të rajonit dhe Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, kanë diskutuar për ecurinë e reformave dhe procesin e integrimit evropian.
Kurti ka thënë se zgjedhjet e përsëritura në Kosovë kishin ngadalësuar ritmin e reformave, por ka theksuar se me stabilitetin institucional është përshpejtuar dinamika e zbatimit të tyre.
“Do t’i përmbushim të gjitha, edhe ato për të cilat fondet humbën, sepse reformat janë detyrë e jona kombëtare dhe evropiane”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka përmendur edhe marrëveshjet e mobilitetit, duke theksuar se Kosova i ka ratifikuar të pesë marrëveshjet, ndërsa ka kritikuar Serbinë për mosnjohjen e diplomave të Kosovës.
Sipas tij, bashkëpunimi rajonal nuk duhet të pengohet nga bllokadat dhe përfitimi nga fondet e Bashkimit Evropian duhet të lidhet me zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara.
“Kush zbaton më shumë nga ajo që është dakorduar, duhet të përfitojë më shumë nga fondet e BE-së”, ka theksuar Kurti.
Në fund, kryeministri ka ritheksuar kërkesën e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai ka thënë se këtë kërkesë e paraqet në çdo takim, duke vlerësuar se qytetarët e Kosovës kanë mbështetje të lartë për integrimin evropian.
“Kosova e ka fituar këtë hap me meritë. Ka qenë gjithmonë e rëndësishme, tani është urgjente”, ka përfunduar Kurti.



