Haradinaj: Sistemi ynë i sigurisë së udhëtarëve duhet të forcohet

28 janar 2019 | 11:55

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në hapjen e konsulencës pas Punëtorisë për Krijimin e Sistemit të Avancuar të Udhëtarëve.

Haradinaj me këtë rast ka thënë se qëllimi i kësaj punëtorie është që të mbështes institucionet në zbatim, në mënyrë që udhëzuesi i detajuar të avancojë, duke e krijuar një situatë të re, të të dhënave të qarkullimit të udhëtarëve dhe se të gjitha institucionet, qofshin ato të Policisë, Aeroportit, Aviacionit Civil, Doganave, të jenë pjesë përbërëse.

“Kosova nuk bën përjashtim, sikurse vendet e tjera i jep rëndësi sigurisë së udhëtimit, udhëtarëve dhe të dhënave. Sistemi jonë i sigurisë është në proces të forcimit dhe ne duhet të kujdesemi që kjo të ndodhë sa më shpejt, duke përmirësuar performancën e secilit institucion një nga një”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se duhen përmirësuar po ashtu sistemet e mbikëqyrjes edhe në pikat hyrëse kufitare.

Haradinaj ka shtuar se pas përmirësimit, siguria merr kuptim të plotë, duke pasur rezultate zingjirore, ku secila hallkë duhet të tregojë sukses për qëllimin tonë të përbashkët dhe kjo përfshinë institucionet si, Policinë, Doganat, Inteligjencën dhe institucionet tjera për sundimin e ligjit.

“Policia e Kosovës gëzon besim të lartë nga qytetarët tanë. Është një institucion kredibil, nga ku edhe fillon edhe përpjekja jonë për ta luftuar krimin”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke shtuar se edhe Doganat kanë rol kyç, sidomos në pikat e ndjeshme, ku mund të kërcënohet siguria dhe se bashkëpunimi kufitar është i domosdoshëm, derisa Agjencia Kosovare për Inteligjencë është forca bashkuese e agjencive për zbatim të ligjit.

Ai ka thënë se në kërcënimet e fundit globale, Kosova nuk është imune dhe se siguria e saj varet nga institucionet e zbatimit të ligjit.

“Metodat e fundit të grupeve të krimit të organizuar dhe terrorizmit, janë edhe më të sofistikuara, andaj duhet ta përmirësojmë qasjen, sistemin dhe bashkëpunimin”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke shtuar se si Kosova jep garanci dhe se mbetet e fokusuar në sigurinë e udhëtarëve dhe në të dhënat e avancuara për qarkullim të udhëtarëve.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni…