Cakaj: ShBA-ja shpreh gatishmërinë për ta ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka bërë me dije se në kuadër të takimit të ministrave të jashtëm të OSBE-së, është takuar me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Philip Reeker.
Ai ka thënë se në këtë takim, Reekeri ka shprehur solidaritetin e plotë dhe gatishmërinë për ta ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit të 26 nëntorit.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin jo vetëm solidaritetin e plotë, por edhe gatishmërinë e lartë për ta ndihmuar Shqipërinë në përballimin e pasojave të tërmetit! Po ashtu, diskutuam lidhur me prioritetet dhe planin e veprimit të Shqipërisë në kuadër të kryesimit të OSBE-së 2020! Shtetet e Bashkuara të Amerikës ofrojnë mbështetjen e tyre absolute në këtë angazhim tejet të rëndësishëm ndërkombëtar për vendin tonë! Në fund, shprehëm përkushtimin për të thelluar bashkëpunimin dhe intensifikuar komunikimin në kontekst të OSBE-së dhe jo vetëm”, ka shkruar Cakaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/