Mogherini, Junckeri dhe Hahni vizitojnë Kosovën më 28 shkurt

23 shkurt 2018 | 14:58

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, shefja për politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini dhe komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn, do të vizitojnë vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën.

Vizita në Kosovë e zyrtarëve evropianë, e paraparë më 28 shkurt, bëhet në kuadër të një turneu të tyre në Ballkan.

Ata do të vizitojnë fillimisht Maqedoninë, pastaj Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën dhe ndalesa e fundit e tyre do të jetë në Bullgari.

Ky turne, që nis nga 25 shkurti dhe përfundon më 1 mars, bëhet për të prezantuar strategjinë e BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Javë më parë, Komisioni Evropian, prezantoi Strategjinë e re të Zgjerimit, ku afate të qarta kohore për anëtarësim në BE, ju dhanë vetëm Malit të Zi dhe Serbisë.

Kjo vizitë e diplomatëve evropianë vjen në kohën kur Kuvendi i Kosovës po bën përpjekje që të ratifikojë Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, e cila ishte nënshkruar në Vjenë në vitin 2015.

Në dy seanca plenare, Kuvendi ka dështuar që të arrijë konsensus për të kaluar këtë marrëveshje, e cila është njëra nga kushtet e vëna nga BE-ja për liberalizimin e vizave, krahas kushtit për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në qytetin Edirne të Turqisë do të shënohet 10-vjetori i…