Veseli u telefonon ambasadorëve, falënderon diasporën
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka biseduar me ambasadorët e Kosovës në Gjermani, Zvicër, Austri e Francë. Ai është interesuar për gjendjen e diasporës në këtë kohë pandemie. Veseli në një shkrim në “Facebook” ka deklaruar se duhet të jemi mirënjohës ndaj vendeve pritëse për kujdesin që po tregojnë për bashkatdhetarët kosovarë.
“U gëzova kur më treguan se edhe bizneset e diasporës janë mobilizuar në solidaritet për të ofruar mbështetje për studentët e Kosovës të mbetur jashtë, prandaj me të vërtetë meritojnë të lavdërohen”, ka shkruar Veseli.
Ai ka njoftuar se qindra kosovarë kanë shprehur vullnetin të kthehen në Kosovë. “Prandaj i bëj thirrje Qeverisë në ikje të Kosovës, që sa më parë t’u gjendet në ndihmë e të marrë masa për riatdhesimin e të gjithë shtetasve tanë të cilët janë bllokuar jashtë e duan të kthehen. Po ashtu, bëj thirrje që sa më shpejt të investohet për të zgjeruar kapacitetet e karantimit të qytetarëve tanë të cilët rikthehen në vendlindje”, ka përfunduar kryetari i PDK-së.
Shkrimi i tij:
Pata kënaqësinë të bisedoja me ambasadorët e Kosovës në Gjermani, Zvicër, Austri dhe Francë, të cilët i thirra në telefon për t’u interesuar për gjendjen e diasporës sonë në këto vende në kushtet e pandemisë. Duhet të jemi mirënjohës ndaj vendeve pritëse për kujdesin që po tregojnë për bashkatdhetarët tanë por edhe të krenohemi me shërbimin tonë diplomatik për dedikimin që po dëshmon. U gëzova kur më treguan se edhe bizneset e diasporës janë mobilizuar në solidaritet për të ofruar mbështetje për studentët e Kosovës të mbetur jashtë, prandaj me të vërtetë meritojnë të lavdërohen.
Mirëpo, u informova gjithashtu se kemi ende qindra shtetas që kanë shprehur vullnetin për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në Kosovë gjë që e kanë të drejtë të mbrojtur nga Kushtetuta. Prandaj i bëj thirrje qeverisë në ikje të Kosovës, që sa më parë t’iu gjendet në ndihmë e të marri masa për riatdhesimin e të gjithë shtetasve tanë, të cilët janë bllokuar jashtë e duan të kthehen. Po ashtu, bëj thirrje që sa më shpejt të investohet për të zgjeruar kapacitetet e karantimit të qytetarëve tanë të cilët rikthehen në vendlindje.