Qasja e Thaçit, PDK-së, LDK-së dhe LV-së ndaj dialogut nuk është e njëjtë
Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim (LB), Avni Klinaku, ka thënë se qasja ndaj politikës së jashtme në përgjithësi dhe ndaj dialogut në veçanti e presidentit Thaçi, e PDK-së e LDK-së në njërën anë dhe qasja politike e LV-së në anën tjetër, nuk janë të njëjta, por rezultatin e prodhojnë të njëjtë.
“Derisa presidenti, PDK-ja dhe LDK-ja, me një politikë servile, gjithë besimin për dialogun ua falin ndërkombëtarëve, Albin Kurti e LV-ja, me një politikë populliste, bëjnë gjithçka për ta penguar dialogun e për të mos marrë pjesë në të. Në të dyja rastet, rezultati vjen realisht nga negociatat e vështira në mes të ndërkombëtarëve dhe pastaj negociatat reale me Serbinë”, ka shkruar Klinaku në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Ne, falë politikës sonë, ose jemi pjesëmarrës pasivë në bisedime (rasti presidenti, PDK e LDK), ose nuk jemi fare pjesëmarrës (rasti LV). Dhe natyrisht, si politika servile, po ashtu edhe ajo popullsite, të cilat realisht abstenojnë nga dialogu, rezultatin për Kosovën e prodhojnë të njëjtë – një ‘marrëveshje të imponuar’ dhe ‘me kompromise të dhimbshme’”, ka shkruar Klinaku.
(M.Q / Epoka e re)



