Ramadani: Projektligji për pandeminë është i limituar
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani, ka folur për Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, të cilin kuvendi e ka miratuar në lexim të parë të premten.
Në dëgjimin publik për këtë projektligj në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, Ramadani ka thënë se projektligji është i limituar sa i përket asaj që është në synim të arrihet.
“Është një ligjshumë i limituar sa i përket asaj që duam të arrijmë. Rekomandimet bazohen në dy koncepte. Shtylla e parë janë qytetarët, të cilëve u kemi dhënë rekomandimet që konsistojnë në mbajtjen e maskës, higjienës dhe distancës. Nëse do të realizoheshin në tërësi, ne do të ishim të stërknaqur sepse pandemia do të zhdukej”, ka thënë Ramadani.
Ai ka folur edhe për respektimin e masave në fuqi kundër koronavirusit.
“Natyrisht se në asnjë vend qytetarët s’mund t’i respektojnë në përpikëri masat për arsye objektive dhe subjektive . Nëse qytetarët do t’u përmbaheshin masave, nuk do të kishte fare nevojë për intervenim të policisë dhe inspektoratit”, është shprehur ai.