Pesë projektligje morën sot miratimin e kabinetit qeveritar

14 shtator 2020 | 11:05

Qeveria e Kosovë, e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, ka zhvilluar mbledhjen e rregull, të 30-n me radhë, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar pesë projektligje, gjashtë vendime, një koncept dokument si dhe rishikimin e kornizës afatmesme të shpenzimeve 2021-2023.

Pesë projektligjet që kanë marrë miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme janë:

1. Projektligji për të drejtën ndërkombëtare private, i cili krijon rregullat për përcaktimin e të drejtës ndërkombëtare private. Projektligji përcakton edhe kompetencën e gjykatave dhe autoriteteve tjera të Republikës së Kosovës sa i përket te drejtës ndërkombëtare private;

2. Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtarë në çështjet penale, i cili forcon edhe më tej bashkëpunimin juridik ndërkombëtar dhe eviton mangësitë e hasura në praktikën e zbatimit të Ligjit në fjalë;

3. Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Italisë për transferimin e personave të dënuar, i cili ratifikon marrëveshjen e cila do të përmirësojë të gjitha mangësitë , zbrazëtirat e evidentuara në fushën e transferimit të personave të dënuar nga të dyja vendet;

4. Projektligji për ratifikimin e kontratës financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Realizimin e projektit për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza në Gjilan. Projektligji ratifikon kontratën financiare ndërmjet republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për këtë projekt në Komunën e Gjilanit.

5. Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për likuiditet të urgjencës sa infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, i cili do të ratifikojë dhe do ta bëjë të zbatueshme këtë marrëveshje.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë janë marrë edhe dy vendime për ndarje të mjeteve financiare për të siguruar realizmin e projekteve të rëndësishme të funksionimit institucional në Republikën e Kosovës.

111,801.00 euro janë ndarë për realizimin projektit “Softueri për menaxhimin e proceseve të auditimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit, dhe 230 mijë euro janë ndarë për sigurimin e procesit të deratizimit, dezinfektimit dhe dezinsektimit të ndërtesave qeveritare që menaxhohen nga Ministria e Punëve të Brendshme.

(M.K / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kthimi emocional i Arjen Robben në Groningen nuk zgjati më…