‘Bien’ Lakersat dhe Phoenixi, fitojnë Utah, Clippersat dhe Dallasi
Vazhdojnë luhatjet për Los Angeles Lakers në këtë sezon të NBA. Pa dy yjet e ekipit LeBron James dhe Anthony Davis kampionët në fuqi pësuan humbjen e gjashtë në dhjetë ndeshjet e fundit pasi u mposhtën në transfertën e Floridas me rezultatin 110-104 nga Miami Heat.
Kjo ishte një përsëritje e finales së madhe të edicionit të kaluar të NBA, me Miamin që iu fal 28 pikëve të realizuara nga ylli Jimmy Butler për të marrë fitoren e radhës në “American Airlines Arena”. Përveç Butler, një paraqitje të mirë për skuadrën nga Florida që mori suksesin e pestë në gjasht ndeshjet e fundit bëri edhe Victor Oladipo, autor i 18 pikëve. Te Lakers nuk mjaftuan 28 pikët e realizuara nga Caldwell-Pope dhe 15 pikë, 12 rebound dhe 3 asistime të afrimit më të fundit Andre Drummond. U rikthye te fitorja pas dy humbjesh rresht Utah Jazz që kaloi pa vështirësi në “Salt Lake City” Portland Trail Blazzers me rezultatin 122-103.
Thjeshtë i shkëlqyer Donovan Mithcell për Utah pasi arriti të koleksiononte në total 37 pikë, 5 rebound dhe 4 asistime. Me 39 fitore në 52 takime për momentin Jazz kryesojnë të pashqetësuar Konferencën e Perëndimit. Për të ndalur ecurinë perfekte prej shtatë fitoresh rresht të Phoenix Suns mendoi Los Angeles Clippers. Në “Staples Center” kalifornianët triumfuan me rezultatin e 113-103 për meritë të dyshes Paul George-Kawhi Leonard. I pari rezultoi pikëshënuesi më i mirë i sfidës me 33 pikë, ndërkohë Leonard shtoi 27 pikë të tjera por edhe pesë rikuperime poshtë tabelës dhe pesë pasime deçizive në suksesin e Clippers.
Moment jo për Milwaukee Bucks që pësoi humbjen e dytë rresht dhe të pestën në dhjetë takimet e fundit. Skuadra nga Wisconsin u mposht në Texas nga Dallas Mavericks me rezultatin 116-101 në një ndeshje ku diferencën e bëri ylli slloven Luka Donqiq autor i 27 pikëve ndërsa i ndihmoi Mavericks edhe me 9 rebound e 9 asistime. Monstruoz edhe letonezi Kristaps Porzingis për Dallasin autor i 26 pikëve dhe 17 rebound, ndërkohë që te Bucks u ndje mungesa e liderit të ekipit grekut Giannis Antetokounmpo.



