Ankohet sportistja kineze: Është shlyer medalja e arit
Lojërat Olimpike përfunduan me një qetësi të madhe nisur edhe nga fakti se ishin të mbizotëruara nga rregullat kundër Covidit dhe nuk u lejua prania e publikut të huaj, vetëm atij vendas. Por, si duket, jo çdo gjë ka shkuar vaj për shtetin organizator, Japoninë.
Fituesja e medaljes së arit në disiplinën e trampolinës në pishinë, Zhu Xejung, është bërë virale pasi ka bërë një ankesë aspak normale drejtuar Olimpiadës.
Xejung pretendon se medalja e saj e arit ka filluar të shlyhet duke treguar cilësinë e dobët të medaljeve. 23-vjeçarja postoi një fotografi të medaljes në platformën “Global Times” duke shkruar: “A ka mundësi që medalja të shlyhet kështu? Më lejoni ta sqaroj këtë gjë… Zbulova një shenjë në medaljen time, mendova se ishte papastërti dhe e fërkova me gisht, por vërejta se ishte nga cilësia e dobët dhe shenja u bë më e madhe”, ka shkruar kinezja.
Postimi u bë viral duke marrë mbi 20 mijë komente nga fansat të cilët akuzuan Japoninë për organizim të dobët të kompeticionit.



