Escobari: Mali i Zi objektiv tërheqës për Moskën, Ballkani duhet ta mbajë përgjegjës Putinin
Mali i Zi mbetet një objektiv tërheqës për Moskën dhe kjo është arsyeja përse Shtetet e Bashkuara dhe partnerët euroatlantikë duhet t’i shtojnë përpjekjet kolektive për të kundërshtuar veprimet armiqësore të presidentit rus, Vladimir Putin.
Kështu ka thënë i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
E njëjta ideologji e gabuar sipas tij është duke e shtyrë Kremlinin të parandalojë dhe ngadalësojë integrimin euroatlantik të Ballkanit.
Ai u bëri thirrje të gjithëve në Ballkanin Perëndimor që ta mbajnë Putinin përgjegjës për pushtimin e Ukrainës.
“Derisa shpaloset kjo katastrofë humanitare, ju duhet ta pyesni veten se për çfarë është gati Putin gjetkë në botë, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Escobari për gazetën “Vijesti”.
Duke ndjekur politikën e Bashkimit Evropian, Qeveria e Malit të Zi ka vendosur sanksione kundër Rusisë më 1 mars, por nuk i ka marrë vendimet e nevojshme për t’i zbatuar ato.
Ndër të tjera, Qeveria nuk ka marrë vendim për ndalimin e mediave ruse, “Russia Today” dhe “Sputnik”, në Mal të Zi, për të cilën gjë është paralajmëruar nga BE-ja, e cila i ka ndaluar ato qysh më 2 mars.
Më 2 mars, Mali i Zi ka votuar për një rezolutë në Kombet e Bashkuara, e cila ka dënuar ashpër agresionin rus dhe ka kërkuar fundin e përdorimit të forcës në Ukrainë.
Rusia ka filluar pushtimin ushtarak të Ukrainës më 24 shkurt.
Qeveria e kryeministrit malazez, Zdravko Krivokapiq, pjesëtarë të së cilës janë cilësuar si proserbë dhe prorusë është me mandat teknik që nga 4 shkurti, kur Kuvendi i Malit të Zi ka votuar një mocion mosbesimi kundër saj.
Më 3 mars, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka propozuar zëvendëskryeministrin aktual dhe kryetarin e Lëvizjes URA, Dritan Abazoviq, si mandatar për formimin e qeverisë së re.



