Shenjëzimi dhe reklamimi kaotik në qendrën historike të Prizrenit

29 qershor 2018 | 13:56

“EC Ma Ndryshe” ka organizuar të premten performancën publike “Shenjëzimi dhe reklamimi kaotik në Qendrën Historike të Prizrenit”.

Përmes këtij aktiviteti “EC” ka shprehur shqetësimin lidhur me shenjëzimin për trashëgiminë kulturore të patrajtuar nga shteti dhe reklamimin e pakontrolluar, që si rezultat kanë sjellë një degradim vizuel të Qendrës Historike të Prizrenit.

Kësaj performance publike i ka paraprirë një hulumtim, të cilin “EC Ma Ndryshe” e ka bërë për problematikën në fjalë.

Nga ky hulumtim janë identifikuar mbi 200 ndërtesa që kanë tabela dhe reklama që janë në kundërshtim me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe vendimin mbi vendosjen e tabelave dhe reklamave në territorin e qytetit të Prizrenit.

“Ndërkohë përfitimi i komunës nga taksat për reklama përgjatë kësaj periudhe ka qenë 0 euro. Vendosja e reklamave të partive politike, bizneseve e organizatave kryesisht është bërë pa pëlqim të organeve të trashëgimisë kulturore. Ky hulumtim është marrë specifikisht me identifikimin e fenomenit të degradimit vizuel dhe adresimin e përgjegjësive fillimisht institucionale të Qendrës Historike të Prizrenit dhe nuk pretendon të denigrojë apo dëmtojë bizneset e veçanta që janë paraqitur përmes reklamave të tyre”, është thënë në komunikatën e “EC Ma Ndryshe”.

Si mangësi që adresohet përmes kësaj performance është mungesa e standardizimit nga shteti për sinjalistikë rrugore, shenjëzim e tabela interpretuese për lokalitete të trashëgimisë.

“Kosova në përgjithësi në krahasim me shtetet e rajonit është shumë prapa sa i përket rregullimit të kësaj fushe, andaj kjo është edhe një thirrje tjetër që i bëhet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrisë së Infrastrukturës të përfundojnë sa më parë përcaktimin e legjislacionit për standardizimin e sinjalistikës rrugore për lokalitetet e trashëgimisë kulturore dhe udhëzuesin për komunat e Kosovës ku do të përcaktohej formati teknik i shenjave për sinjalistikë rrugore dhe atë këmbësorike”, është thënë ndër të tjera në komunikatën e “EC Ma Ndryshe”.

Sipas “EC Ma Ndryshe”, Komuna e Prizrenit udhëzohet që ta bëjë përditësimin dhe përmirësimin e vendimit mbi vendosjen e tabelave dhe reklamave në territorin e qytetit të Prizrenit duke i shtuar disa nene përkatëse dhe duke qartësuar disa të tjera.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vetëvendosje (LV) ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore kallëzimin penal…