Haxhiu takoi ambasadorin Hovenier dhe sekretaren Johnson, flasin për vetingun

21 korrik 2022 | 16:21

Në hapësirat e Ministrisë së Drejtësisë, ministrja Albulena Haxhiu ka pritur të enjten në takim një delegacion të prirë nga zëvendësndihmëssekretarja Lisa Johnson dhe ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier.

Bashkëpunim të shkëlqyer e quajti ministrja Haxhiu raportin me Ambasadën Amerikane në Kosovë, e cila ndër të tjera, përmes programeve si INL, OPDAT dhe ICITAP vazhdon të mbështesë procese të rëndësishme të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

Sundimi ligjit, lufta anti-korrupsion, procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë-duke përfshirë edhe aspektet e drejtësisë penale, ishin tema të cilat zgjuan interesim nga zëvendësndihmëssekretarja Johnson, duke trajtuar po ashtu me një vëmendje të shtuar angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë në nismat e saj që parandalojnë dhe luftojnë dukurinë e dhunës në familje.

Në kuadër të agjendës së SHBA-ve në luftën globale kundër korrupsionit, Johnson e vlerësoi si partner të rëndësishëm Republikën e Kosovës, për çka vlerësoi se ky bashkëpunim do të sjellë edhe rezultatet e saja në forcimin dhe zbatimin e ligjit dhe rendit juridik.

Të dy palët u pajtuan që bashkëpunimi i deritanishëm ka sjellë rezultate të mira dhe se i njëjti do të vazhdojë edhe më tej për t’i kontribuar forcimit të sundimit të ligjit dhe drejtësisë në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë…