Dronët ‘Skylark’ që Vuçiqi pretendon se fluturuan rreth kufirit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar se po punojnë për të përcaktuar se kush e dërgoi dronin që u rrëzua të enjten e 2 nëntorit në Rashkë.
Ai theksoi se edhe dronët e NATO-s janë vërejtur 200 deri në 500 metra larg kufirit me Kosovën, në Bërnjak dhe Jarinje.
“I kemi parë, por nuk kemi të drejtë t’i rrëzojmë në përputhje me Rezolutën 1244 dhe Marrëveshjen e Kumanovës”, ka thënë ai, transmeton mediumi serb ‘Danas’.
“Ne nuk jemi në konflikt me askënd, por a doni që dikush të spiunojë ushtrinë tonë, të hyjë në çdo hangar në territorin e Serbisë qendrore dhe të numërojë sa plumba dhe granata kemi”, shtoi ai.
Dronët Skylark të përdorur nga forcat e NATO-s janë prodhuar nga kompania izraelite ‘Elbit Systems’ dhe deri më tani janë në treg tre gjenerata të këtyre fluturakeve pa pilot.
Gjenerata e parë doli në vitin 2008 dhe ka një rreze fluturimi deri në 40 kilometra kurse gjenerata e dytë u lansua në vitin 2013 me një distancë prej 60 kilometrash.
Gjenerata e tretë e dronëve “Elbit Skylark 3”, u lansua në vitin 2016 dhe konsiderohet më e avancuara.
Mund të mbajë 45 kilogramë ngarkesë, mund të fluturojë në mënyrë operative për gjashtë orë dhe mund të kontrollohet në një distancë prej 100 kilometrash.
Specifika e dronëve Skylark është se ato mund të fluturojnë edhe në një lartësi deri në 4 mijë e 600 metra, që është një lartësi jashtëzakonisht e lartë për avionët pa pilot (mesatarja për prodhuesit e tjerë është deri në 3 mijë metra).
Modeli i përmirësuar “Skylark 3 hibrid” ka një distancë prej më shumë se 120 kilometra, mund të qëndrojë në ajër deri në 18 orë, por lartësia e tij më e lartë është pak më e ulët, deri në 3700 metra.
Nga vendet e rajonit, dronët Skylark janë zyrtarisht në pronësi të Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat janë anëtare të aleancës së NATO-s dhe jozyrtarisht përmendet se Mali i Zi është i interesuar për blerjen e tyre.
Ndryshe, Forcat e Armatosura të Serbisë kanë rrëzuar një dron mbi kazermën ushtarake në Rashkë, mbi dyshimet se droni i panjohur vëzhgoi kazermat dhe pozicionet e forcave serbe.
Të paktën kështu ka njoftuar Ushtria e Serbisë e cila në përputhje me urdhrin e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, forcat serbe kanë marrë masa të shtuara për “zbulimin, gjurmimin dhe neutralizimin e mjeteve ajrore pa pilot pranë objekteve ushtarake”.
Vuçiç, të martën dha urdhër që të eleminohet çdo dron armiqësor që shihet në territorin serb dhe për të filluar përgatitjet për të mbrojtur Serbinë nga “pushtues” të tjerë.
Arsyeja e këtij vendimi të presidentit serb, erdhi pas supozimi se disa dronë të panjohur vëzhguan pozicionet e ushtrisë serbe.
Avionët serb, të njohur si “MiG 29” janë ngritur në qiell në aksionin e vëzhgimit dhe sulmit të mundshëm ndaj “avionëve të armikut”.