Pas suksesit në muzikë, Presley do të kalojë në industrinë e filmit, ku po ashtu ishte mjaft i suksesshëm. Në karrierën e tij ka xhiruar 33 filma, western, filma muzikor (nuk besojmë që së paku një herë nuk e keni parë filmin e tij “Viva Las Vegas” me En Margareth, aktoren e bukur e cila u bë edhe dashnore e tij) dhe publiku me ëndje përcjellte sukseset e tij filmike.
Elvis Presley ka shitur mbi një miliardë albuma, është nominuar 14 herë për Grammy, shpërblimin më të rëndësishën muzikor, të cilin e ka fituar tre herë.
Presley ka shërbyer edhe në ushtrinë amerikane. Do të pritet edhe në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Richard Nixon, të cilit i kishte ofruar të bëhet agjent i FBI-së.
Në vitet e shtatëdhjeta, do të trashet shumë dhe gjithnjë e më tepër do të përdorë droga të ndryshme. Do të vdesë i ri, si 42-vjeçar, më 16 gusht 1977 në pronën e tij, në Graceland, në Memphis. Aty edhe do të varroset. Prej atëherë, varrin e tij e kanë vizituar miliona adhurues të tij. Albumat e tij ribotohen sot e kësaj dite. Popullariteti i tij vazhdon të jetë shumë i lartë. Presley dhe “The Beatles” janë autorët e hiteve më të njohura në historinë e rok-muzikës.
KINEZI MË I RËNDËSISHËM I SHEKULLIT: MAO ZEDONG

Në vitin 1893, kur u lind Mao Zedong, Kina ishte në gjendje rrëmuje dhe asaj i kanosej edhe shkatërrimi i plotë si shtet. Dinastia Qin e cila sundonte me Kinën, nuk arrinte të përmirësojë gjendjen e rëndë ekonomike dhe populli gjithnjë e më shumë ishte i pakënaqur. Resurset e mëdha të Kinës i shfrytëzonin fuqitë e mëdha perëndimore. Mao Zedung do të hetojë herët këto probleme dhe do të zotohet që do të mundohet të ndryshojë situatën në Kinë. Natyrisht, si edhe në shumë raste të tjera të ngjashme, shumëkush injoroi synimet e Zedungut dhe mendoi që ky nuk mund të bëjë ndryshimet e premtuara. Por, dihet çfarë ndodhi. Zedong do të theksojë që në fillim njerëzit nuk i duan ndryshimet, por më vonë, ata i përqafojnë ato.
Lëvizja e Zedongut ngadhnjeu ndaj asaj të Çang-Kai-Shekut dhe në vitin 1949, Zedong do të shpallë krijimin e Republikës Popullore të Kinës. Reformat e mëdha që Zedong instaloi, bënë të mundur që Kina të bëhet njëra ndër shtetet më të fuqishme në Botë. Kinezët do të marrin pjesë edhe në Luftën e Koresë, në anën e aleatëve të tyre, komunistëve të Koresë Veriore. Në fillim, gati do të fitojnë, por më vonë, forcat amerikane dhe ato të aleatëve, do t’i zbrapsin kinezët. Çfarë mbahet në mend nga kjo luftë është gatishmëria e oficerëve kinezë për të flijuar mijëra ushtarë kinezë pa kurrfarë justifikimi.
Në vitet e gjashtëdhjeta, Zedong do të lansojë “Revolucionin Kulturor”, me gjasë, më të egrin në historinë e komunizmit për sa iu përket përpjekjeve për “krijimin e njeriut të ri komunist”. Fushata e demoncimeve, burgosjeve, arrestimeve do të përfshijë miliona veta.
“Revolucioni Kulturor” kinez do të ketë pasoja edhe në Shqipëri, e cila ato vite kishte krijuar raporte të posaçme me Kinën. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën do të nisen të prishen pas vizitës së Richard Nixonit, kryetar i atëhershëm amerikan, në Pekin. Thuhet që Enver Hoxha, lider i Shqipërisë komuniste, e kishte marrë si tradhti të interesave komunist pritjen e Nixonit nga Zedong dhe prijës të tjerë të lartë kinez.
Përfundimisht, Shqipëria do të prishet me Kinën në vitin 1977.
Vetë Mao Zedong do të vdesë në vitin 1976. Pushteti kinez do të ndërtojë maozolenë në të cilin do të vendosë trupin e balsamosur të Zedongut.
Nuk do të vonojë dhe do të nisin kritikat e para ndaj regjimit të Zedongut dhe në veçanti, ndaj “Revolucionit Kulturor”. Do të burgoset gruaja e Zedongut.
Reformat që do të nisin në Kinë në vitet e tetëdhjeta, do të përjetojnë një ngecje pas demonstratave të njohura të vitit 1989, të cilat u shuan pas intervenimit të përgjakshëm të Armatës kineze. Por, më vonë, reformat do të përtërihen dhe sot Kina është një shtet i fuqishëm.
PERSONALITETI I SHEKULLIT XX SIPAS MAGAZINËS “TIME”: EINSTEIN

Emri i Einsteinit lidhet me karrierën politike të Adolf Hitlerit. Po të mos vinte në pushtet Hitleri, Einstein dhe shumë shkencëtarë hebreikë që ishin qytetarë të Gjermanisë, kurrë nuk do ta braktisnin Gjermaninë. Ata u vendosën në SHBA dhe luajtën rolin kryesor në krijimin e bombës së parë atomike. Kjo bombë kishte për destinim të vetin primar Gjermaninë, por ajo kapitulloi. Kur Qeveria amerikane vendosi ta përdorë kundër Japonisë, shumë shkencëtarë hebreikë shkruan letër kryetarit Hary Truman, duke kundërshtuar këtë gjë. Por, tashti ishte bërë tepër vonë. Përndryshe, ekziston bindja që po të ishte gjallë presidenti Roosevelt (i cili vdiq në prill të vitit 1945), bomba atomike nuk do të përdorej as kundër Japonisë.
Albert Einstein u lind më 1879, në Ulm të Gjermanisë. Në vitin 1905, Einstein doktoroi në Universitetin e Cyrihut. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Einstein kthehet në Gjermani, ku bëhet profesor në Universitetin e Berlinit. Në vitin 1921 për herë të parë udhëton në Amerikë, ku mundohet të mbledhë mjete për universitetin e sapothemeluar hebreik në Jerusalem. Së shpejti Einstein merr edhe Çmimin Nobel, por jo për “Teorinë e relativitetit”, siç mendohet zakonisht, por për punimet në efektin fotoelektrik, të cilat i kishte botuar qysh në vitin 1905.
Në vitet e njëzeta, Einstein bëhet një shkencëtar shumë i njohur dhe i popullarizuar. Për këtë shkak ai udhëton shumë nëpër botë, duke popullarizuar shkencën dhe arritjet e tij personale. Por, duket që për shkak të udhëtimeve të shumta, ai sëmuhet. Në vitin 1928, ai vendos të shkojë në Princeton, në Amerikë, në universitetin e atjeshëm. Einstein nuk mendonte të rrijë përgjithmonë në Amerikë, por kur në vitin 1933 Hitleri merr pushtetin në Gjermani, Einstein vendos të mos kthehet më në atdhe. Për më shumë, në vitin 1940 ky edhe zyrtarisht merr shtetësinë amerikane, por, po ashtu, mban edhe shtetësinë zvicërane të cilën e kishte marrë më herët, gjatë qëndrimit të tij në Zvicër.
Në vitet e pesëdhjeta, gjendja e tij shëndetësore keqësohet shumë. Megjithatë, edhe pse i lodhur shumë, ky i drejtohet me letrën e famshme burrështetasve të botës, duke kërkuar prej tyre që të heqin dorë nga bomba atomike.
Albert Einsteini mbahet në mend si njëri ndër gjenitë e shekullit XX, i cili njëkohësisht ishte i vetëdijshëm për rreziqet që bart në vete zhvillimi i madh shkencor dhe teknologjik.
Magazina amerikane “TIME” ka shpallur në vitin 1999 Einsteinin personalitetin më të rëndësishëm botëror të shekullit XX.
SIMBOLI I SË KEQES: ADOLF HITLERI

Natyrisht, këtu nuk ka nevojë të harxhohen shumë fjalë. Por, duhet përsëritur që kriteri për t’u gjetur këtu nuk kishte të bëjë vetëm me kontributin dhënë për të mirë qytetërimit. Përndryshe, ata që janë të prirë të bëjnë llogaritje të ndryshme, gjithsesi të vonuara për një dukuri, thonë që bota kurrë nuk do të përjetonte tmerret më të mëdha në historinë e saj, sikur Hitleri të mos refuzohej nga Akademia e Artit në Vjenë. Ata thonë se Hitleri ka përjetuar shumë rëndë refuzimin e tij dhe se ky ishte ai momenti kyç që bëri që ky të kthehet një herë e përgjithmonë kah e keqja. Po të pranohej në akademi, Hitleri do të merrej me pikturë dhe nuk do të kthehej kah historia dhe politika.
Ndoshta edhe është ashtu, por kjo llogari është e kotë tashti. Dhjeta miliona vetë janë vrarë në luftërat të cilat i nisi Adolf Hitleri.
Në vitin 1925, Hitleri do të botojë veprën e tij “Mein kampf” (“Lufta ime”), në të cilën do të elaborojë pikëpamjet e tij politike. Ky libër deri në vitin 1939 (kur edhe zyrtarisht nis Lufta e Dytë Botërore), do të përkthehet në 11 gjuhë dhe do të shitet në pesë milionë kopje.
Është interesant të theksohet që Hitleri kurrë nuk ka fituar në zgjedhje parlamentare dhe që në vitin 1933, në janar, pothuaj rastësisht merr detyrën e kryeministrit të Gjermanisë. Në të vërtetë, Hitleri duhej të ishte vetëm një zgjidhje kalimtare, deri në zgjedhjet e reja, të cilat kurrë nuk u mbajtën. Ai, me t’u zgjedhur kancelar, do ta uzurpojë pushtetin dhe do ta çojë Gjermaninë në humnerë. Gjatë luftës janë vrarë mbi 20 milionë gjermanë.
Në vitin 1939 do të nisë luftën më të tmerrshme në historinë e Evropës. Do të ndërtojë kampe përqëndrimi, në të cilat, pos tjerash, do të vriten miliona hebrenj. Më famëkeqi prej këtyre kampeve do të jetë “Auschwitzi” në Poloni.
Në vitin 1945, kur disfata e tij u bë e paevitueshme, Hitleri do të urdhërojë që Gjermania të kallej dhe të shkatërrohej e tëra, por bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë nuk do ta dëgjojnë. Këtu do të veçohet Albert Speer, “arkitekti personal i Hitlerit”, i cili do të burgoset në Spandau, burgun e njohur të Berlinit.
Më 30 prill të vitit 1945, teksa forcat e Armatës së Kuqe depërtonin në Berlin, Hitler, së bashku me gruan e tij Eva Braun, do të bëjë vetëvrasje. Trupi i tij do të digjet me naftë. Tek eskpertët anglezë, më vonë, do të vërtetojnë që trupi i djegur është ai i Adolf Hitlerit.
Pas Luftës së Dytë Botërore, emri i Hitlerit mbeti simbol i të së keqes, i urrejtjes dhe i shkatërrimeve. Kështu, një mori politikanësh u krahasuan me të. Së fundit, ishin dy të tillë: Saddam Hyseini, diktatori i Irakut dhe Slobodan Milosheviqi, kasapi i Ballkanit.
Për këtë shkak, procesi kundër Milosheviqit në Tribunalin e Hagës, më së shpeshti u krahasua me Procesin e Nurembergut kundër bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Adolf Hitlerit.
PAVARËSIA ME REZISTENCË PAQËSORE: MOHANDAS K. GANDHI

Gandhi u lind më 1869 në vendin Gudzharat, në Indinë Perëndimore. Si në rastin e shumicës së indasve, martesa e Gandhit ishte goditur shumë herët, kur ky ishte fëmijë. Për këtë shkak, ky u martua kur i kishte vetëm 13 vjet (ishte 13 vjeç dhëndër pra) me Kasturbai Makanji. Nuk vonoi dhe Gadnhi i ri do të shkojë në Londër për të studiuar drejtësinë. Pas Anglisë, e cila në atë kohë sundonte me Indinë dhe me pothuaj gjysmën e botës, Gandhi shkon në Afrikën e Jugut. Aty kishin gjetur punë shumë indas. Në Afrikë të Jugut Gandhi do të bëhet dëshmitar i eksploatimit të njeriut në baza raciale, sociale dhe të prejardhjes etnike. Duket që kjo përvojë do të jetë vendimtare për biografinë e tij të mëtejme. Për më tepër, pikërisht në Afrikë të Jugut, Gandhi do të nisë të kuptojë rëndësinë e rezistencës së padhunshme si formë të ndryshimit të gjendjes sociale dhe politike.
Indasit do ta quajnë Gandhin “Satyagraha” apo “fuqia e të së vërtetës”. Edhe pse Gandhi i printe demonstratave paqësore, ai do të burgoset shpesh prej autoriteteve angleze, të cilat nisën të kuptojnë rrezikun e përhapjes së Lëvizjes së Gandhit në Afrikën e Jugut e më vonë edhe në Indi. Lëvizja e Gandhit intensifikohet posaçërisht në Indi, ku ky do të vihet në ballë të rezistencës e cila kishte për synim çlirimin e Indisë nga kolonializmi anglez.
Pas luftës shumëvjeçare, në vitin 1947, India arrin të bëhet shtet i pavarur. Ishte ky një rast i rrallë kur pavarësia e një shteti dhe çlirimi nga kolonializmi u arrit me lëvizje politike të padhunshme. Por, Gandhi do të ballafaqohet me probleme të reja kur shteti i sapokrijuar do të ndahet midis myslimanëve, të cilët do të krijojnë Pakistanin dhe hindusëve, që do të mbajnë Indinë. Dy muajt e fundit të jetës, Gandhi do t’ia kushtojë përpjekjeve për të ndalur dhunën në Kashmir, sepse edhe India edhe Pakistani pretendonin që Kashmiri i takon atyre. Dihet që sot e kësaj dite, Kashmiri është një problem i madh në raportet midis Indisë dhe Pakistanit, të cilat posedojnë edhe me armë bërthamore.
Në vitin 1948, Gandhi do të vritet nga një atentator teksa shettite kopshteve të New Delhit. Thuhet që vrasësi ka qenë një fanatik fetar i cili nuk i kuptonte porositë e Gandhit.
Emri i Gandhit sot e kësaj dite është sinonim për lëvizje paqësore të padhunshme dhe për përpjekjet që me metoda racionale të zgjidhen problemet e mëdha politike. Vepra dhe mendimi i tij kanë lënë gjurmë jo vetëm në Azi, por edhe në Evropë dhe në Amerikë, ku u shtua interesimi për trashëgiminë shpirtërore të kësaj pjese të botës. /Telegrafi/