Rezoluta për dialogun përfshinë pikëpamjet e të gjitha partive

11 tetor 2018 | 17:08

Zëvendëskryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka ftuar edhe një herë të gjitha subjektet politike që të reflektojnë në raport me dialogun Kosovë -Serbi. Ai ka bërë me dije se draftrezoluta për dialogun me Serbinë, e cila do të prezantohet sot (e enjte) në takimin me liderët e subjekteve politike, përfshinë interesat shtetërore të vendit dhe pikëpamjet e të gjitha partive politike.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Hoxhaj ka deklaruar se nëse ekziston vullneti politik i opozitës për konsensus, ai mund të arrihet. “Iniciativa e z. Veseli dhe PDK-së është një iniciativë e cila në mënyrën më të mirë të mundshme i përfshinë interesat shtetërore të vendit dhe pikëpamjet e të gjitha partive politike. Çdo gjë që është thënë për dialogun, çka do të duhej të ndodhë me dialogun, çka do të duhej të mos ndodhte me këtë proces, cilat janë qëllimet tona në dialog dhe cilat janë vijat e kuqe në dialog, i parasheh projektrezoluta, të cilën ne si partnerë të koalicionit e kemi propozuar. Nëse ka vullnet politik mund të ketë rrugë dhe modele të reja se si të arrihet konsensusi politik për këtë çështje”, ka thënë Hoxhaj.

Ai pret që në takimin e së enjtes të marrin pjesë të gjitha subjektet politike që janë ftuar. “Nuk dua t’i komentoj deklaratat e subjekteve politike. Një gjë e di, se prej z. Veseli ka vendosmëri që të krijojë një konsensus politik, sepse dialogu nuk është vetëm përgjegjësi e jona që jemi në Qeveri, dialogu është përgjegjësi edhe e atyre që janë në opozitë. Ne presim të respektohet vullneti i qytetarëve të Kosovës, përndryshe qytetarët e Kosovës duhet ta bëjnë dallimin se kush është i interesuar ta përmbyllë këtë temë dhe kush është i interesuar ta vazhdojë politiken e status quos dhe të qëndrojë në vend”, është shprehur Hoxhaj.

“Epoka e re”: Z. Hoxhaj, lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka ftuar për këtë të enjte një takim me të gjitha subjektet politike, ku do të diskutohet rreth draftrezolutës për dialogun me Serbinë. Cili është qëllimi i kësaj draftrezolute?
Hoxhaj: Takimi do të mbahet, sepse ka të bëjë me një urgjencë të madhe politike që të shkohet në mënyrë unike në procesin e dialogut me Serbinë. Iniciativa e z. Veseli dhe PDK-së është një iniciativë e cila në mënyrën më të mirë të mundshme i përfshinë interesat shtetërore të vendit dhe pikëpamjet e të gjitha partive politike. Çdo gjë që është thënë për dialogun, çka do të duhej të ndodhtë me dialogun, çka do të duhej të mos ndodhte me këtë proces, cilat janë qëllimet tona në dialog dhe cilat janë vijat e kuqe në dialog, i parasheh projektrezoluta, të cilën ne si partnerë të koalicionit e kemi propozuar. Nëse ka vullnet politik mund të ketë rrugë dhe modele të reja se si të arrihet konsensusi politik për këtë çështje. Ftesa e z. Veseli qëndron dhe ne presim që të vijnë të gjithë ata që janë ftuar në këtë takim.

“Epoka e re”: Jua ka konfirmuar ndonjëri prej subjekteve opozitare pjesëmarrjen në takim?
Hoxhaj: Nuk jam marrë me këtë pjesë teknike se kush e ka konfirmuar ardhjen, sepse kjo është punë e administratës së Kuvendit të Kosovës apo e PDK-së. Mirëpo e di se në këto dy javët e fundit kemi pasur një debat të mirëfilltë politik se si ta reflektojmë vullnetin e qytetarëve të Kosovës, se si ta përmbyllim shtetndërtimin dhe si ta kompletojmë sovranitetin. Situata që kemi pasur në fillim të shtatorit nuk ka qenë dinjitoze as për neve si Qeveri e as për kolegët në opozitë, ku kemi qëndruar për ditë të tëra në seanca pa arritur asgjë. Prandaj, atë që nuk e kemi arritur në javën e parë të shtatorit, mund të arrihet në tetor. Shpresoj se ka racionalitet dhe rezon shtetëror të çdo subjekti politik.

“Epoka e re”: LDK-ja përmes një komunikate për media ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në këtë takim, derisa Lëvizja Vetëvendosje më herët e ka bërë të qartë se nuk do të jetë pjesë e këtij takimi?
Hoxhaj: Nuk dua t’i komentoj deklaratat e subjekteve politike. Një gjë e di, se prej z. Veseli ka vendosmëri që të krijojë një konsensus politik, sepse dialogu nuk është vetëm përgjegjësi e jona që jemi në Qeveri. Dialogu është përgjegjësi edhe e atyre që janë në opozitë. Ne presim të respektohet vullneti i qytetarëve të Kosovës, përndryshe qytetarët e Kosovës duhet ta bëjnë dallimin se kush është i interesuar ta përmbyllë këtë temë dhe kush është i interesuar ta vazhdojë politikën e status quos dhe të qëndrojë në vend.

“Epoka e re”: Çfarë nëse opozita nuk merr pjesë në këtë takim?
Hoxhaj: Nuk dua që ta përshkruaj situatën hipotetike. Ta presim ditën e enjte.

“Epoka e re”: Mirëpo dy subjektet më të mëdha opozitare e kanë bërë të qartë se nuk do të jenë pjesë e këtij takimi. Si do të veprohet me këtë rezolutë? Do ta dërgoni në Kuvend edhe pa opozitën?
Hoxhaj: Kjo është çështje e partnerëve të koalicionit. Kur të ndodhë takimi, besoj aty do t’i japim mendimet tona se si t’i qasemi kësaj rezolute. Pa ndodhur takimi i liderëve, nuk dua të them se ky do të jetë epilogu.

“Epoka e re”: Në këtë mënyrë është tentuar disa herë të arrihet një konsensus kombëtar, por nuk është arritur. Çka ju shtyn të besoni se këtë herë do të arrihet konsensusi i kërkuar?
Hoxhaj: Ne jemi vetëm një parti politike dhe në këtë mënyrë po e reflektojmë synimin tonë politik, vullnetin tonë politik dhe gatishmërinë tonë për të arritur një konsensus për ta mbyllur një temë, të cilën e kemi bartur si proces edhe me kolegët e tjerë që janë opozitë. Kohët e fundit e kemi pasur një debat se si dialogu të afatizohet, se si ky proces ta sjellë njohjen e ndërsjellë me Serbinë dhe si Kosova ta kompletojë sovranitetin e vet, dhe për këtë mendoj se koha është tani, ngaqë kjo situatë politike ku ne nuk tregohemi unikë, ku reflektojnë dallimet tona, mund t’i shkojnë përshtati vetëm Serbisë. Në këtë situatë ajo mund ta drejtojë gishtin kah ne, që nuk po pajtohemi mes vete dhe në këtë mënyrë BE-ja nuk do të jetë në gjendje që deri në pafundësi ta presë elitën politike të Kosovës se kur ne mund të merremi vesh për formatin e dialogut. Mendoj se përballja më interesante nuk është në Prishtinë, nëpër debate televizive e as në konferenca për media. Përballja kryesore është në Bruksel, aty duhet të përballemi me Serbinë, ndërsa në Nju Jork duhet të përballemi me kundërshtarët strategjikë të pavarësisë së Kosovës.

“Epoka e re”: Derisa ju po kërkoni konsensus, opozita po kërkon zgjedhje të reja.
Hoxhaj: Çfarëdo që keni të pyesni për opozitën, mund ta pyesni atë. Unë këtu po i jep qëndrimet e mia.

“Epoka e re”: Zgjedhjet e reja janë parë si alternativë, sidomos pas polemikës së fundit në mes presidentit dhe kryeministrit të vendit rreth çështjes së kufirit?
Hoxhaj: Presidenti e ka mandatin e vet në bazë kushtetuese dhe ai flet në emër të Kosovës për temat e karakteri kombëtar. Kurse ne çka jemi në Qeveri, si partnerë të koalicionit, flasim në emër të partive politike. Se kush çfarë thotë në konferenca për media është qëndrim i tyre. Qëndrimi ynë si PDK është i qartë, duam që t’i përmbushim disa prej qëllimeve të mëdha. E dini që herën e fundit patëm shkuar në zgjedhje për ta sjellë një Qeveri të vendimeve të mëdha. Dy vendime të mëdha deri më tani i kemi kryer: ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe vendimin për transformimin e FSK-së në ushtri. Dhe tani mendoj se duhet të vazhdohet qasja e njëjtë. Nuk mundet një vend si Kosova, në një periudhë të brishtë të shtetndërtimit të saj, ta ketë luksin e organizimit të zgjedhjeve çdo vit.

“Epoka e re”: Pra, përplasjet e fundit në mes të presidentit dhe kryeministrit nuk do të mund të ndikojnë në jetëgjatësinë e kësaj Qeverie?
Hoxhaj: Mendoj se çfarëdo që doni ta pyesni presidentin, mund t’i drejtoheni zyrës së tij. Unë po flas për qëndrim të PDK-së dhe nuk jam këtu për të bërë analiza politike se kush e çfarë deklaron.

“Epoka e re”: Tani Kosova është edhe para sfidës së anëtarësimit në Interpol. Si qëndrojnë punët me vota?
Hoxhaj: Mendoj se është jetike për Kosovën të anëtarësohet në Interpol. Nuk e di se cili është trendi i fundit dhe si qëndrojmë me vota. Por, e di se ka një koordinim brendapërbrenda Qeverisë për këtë çështje. Anëtarësimi i Kosovës në Interpol do të ishte lajmi më i mirë për Kosovën në vitin 2018. Ndërsa, nëse Serbia sillet në raport me Kosovën në Interpol sikurse është sjell në UNESCO, ne do të duhej të nxjerrim një bilanc të mirëfilltë se si të sillemi në raport me Serbinë. Ne nuk mund t’i normalizojmë raportet bilaterale me Serbinë derisa ajo ndërkombëtarisht na lufton kudo.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK),…