Lladrovci: Për herë të gjashtë, Drenasi është kampion i qeverisjes së mirë
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se me ministrin Elbert Krasniqi, nënshkruan memorandum bashkëpunimi për grantin e performancës, për vitin 2023, me vlerë mbi 1.2 milion euro.
“Për herë të gjashtë, Drenasi është kampion i qeverisjes së mirë, demokratike e transparente, me vlerësimin më të mirë në nivel nacional, tetë pikë para vendit të dytë dhe dhjetë pikë para vendit të tretë.
E falënderova Ministrin Krasniqi, për përkushtimin e tij lidhur me vlerësimin e performancës dhe angazhimin në Ministrinë e cila paraqet për neve adresën referente në nivelin qendror, në veçanti lidhur me vlerësimin e performancës. Ky çmim është një motiv shtesë për ne që të vazhdojmë punën me përkushtim dhe të ofrojmë shërbime edhe më të mira për qytetarët tanë”.
“Ministri Krasniqi ka dëshmuar gatishmëri të vazhdueshme për çështjet e ngritura me interes të përbashkët, duke dëshmuar kompetencë dhe efikasitet. Pushteti lokal ka specifika, por, pa përkrahjen nga niveli qendror, besimi në institucione luhatet, andaj, bashkëpunimi ndërmjet dy niveleve, sjell rezultate.
Në shenjë nderimi për vizitën, ministrit Krasniqi dhe bashkëpunëtorëve të tij, ua dhurova nga një libër kushtuar heroit e heroinës, Fehmi e Xhevë Lladrovci, të autorit Bedri Islami, si dhe nga një medaljon të punuar nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas. Gjatë vitit 2024, ne kemi arritur suksese maksimale në çdo garë e vlerësim jo vetëm për Grantin e performancës, por edhe vlerësimet nga Transparometri, Instituti GAP, Demos, MMPH dhe GIZ, etj”, ka shkruar Lladrovci në “Facebook”.



