Abdixhiku ia rikujton Lajçakut qëndrimin e LDK-së për dialogun

28 qershor 2022 | 14:32

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur të martën në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Gjatë takimit, Abdixhiku dhe Lajçaku kanë diskutuar për situatën e përgjithshme politike në vend, ndërsa temë e veçantë e diskutimit ishte procesi i dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Me këtë rast, kryetari Abdixhiku, ia ka rikonfirmuar Lajçakut, qëndrimin e LDK-së, ku ka theksuar se procesi i dialogut duhet të përfundojë me njohje reciproke, normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si dhe duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin e rendin kushtetues të Kosovës.

Më tutje, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja mbetet partnere kredibile e miqve ndërkombëtar në të gjitha proceset e rëndësishme dhe integruese të vendit.

Në fund të takimit, Abdixhiku, specifikisht ka kërkuar përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave e cila u adresua edhe në Rezolutën e EPP-së, që u votua në fillim të muajit në Roterdam. Po ashtu, kryetari Abdixhiku, ka kërkuar përkushtimin e plotë të BE-së në proceset integruese të rajonit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktorja e njohur Amber Heard do të shesë një dhuratë…