Agim Bahtiri me peticion synon bashkimin e Mitrovicës

21 dhjetor 2018 | 13:04

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri nuk ka heq dorë nga ideja e tij për bashkimin e Mitrovicës.

Ai të premten ka mbajtur një tryezë të përbashkët me qytetarë me ç’rast ka iniciuar procedurat për peticion lidhur me bashkimin e qytetit.

“Sot ju kam ftuar që mbi bazën e demokracisë dhe funksionalizimit të vendit të bëjmë një peticion për të shfuqizuar vendimin e marrë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe të mundësojmë bashkimin e Mitrovicës”, ka thënë Bahtiri para qytetarëve.

Në ndërkohë, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Jeton Ujkani, ka bërë thirrje që ky peticion të gjejë mbështetje.

“Ju bëj thirrje të gjithëve që të ruhemi në deklarata sepse e dimë shumë mirë qëndrimin e institucioneve tona që po luftojnë për të qenë e gjithë Kosova një territor. Kërkesat tonë, sikur kjo përmes Kuvendit dhe peticioni do të shkojnë në institucionet tona, prandaj ju bëjmë thirrje për përkrahje”, ka thënë ai.

Ideja e Bahtirit për bashkimin e Mitrovicës, është cilësuar si jo ligjore nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Këta të fundit kishin cilësuar se vendimi në fjalë nuk është kompetencë e institucioneve komunale, por e atyre qendrore. Ndërkohë, edhe gjatë ditës së hënë është thirrur një seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, po për këtë çështje.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fillimi i kësaj jave ka parë rekord të konsumimit të…