Ahmetaj: Nderova shtetin, pres të më nderoj edhe ai mua

16 janar 2018 | 10:56

Kampioni shqiptar nga Deçani, Shpejtim Ahmetaj, pasi arriti suksesin historik në sportin e kikboksit, ka thënë se ndihet i lumtur se ka bërë të lumtur të gjithë shqiptarët me titullin e fituar në kategorinë ‘WAKO PRO’. “Ndihem krenar me titullin e fituar, sepse jo vetëm se e kam nderuar veten dhe familjen, por edhe qytetin tim, Deçanin dhe mbarë Kosovën. Tash pres përkrahje edhe më të madhe nga shteti im, sepse konkurrenca është rritur për të më sfiduar për titullin kampion”, ka thënë Ahmetaj, i cili pret që edhe shteti të nderojë për suksesin në arenën ndërkombëtare.

Shpejtim Ahmetaj në fund të vitit 2017 e ka shkruar një epokë të re për sportin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, pasi e ka fituar titullin e kampionit botëror në kikboks. Ahmetaj këtë sukses e arriti  në Pejë, duke e mposhtur garuesin Kadir Tastan.
Kampioni shqiptar, Shpejtim Ahmetaj, të hënën për “Epokën e re” ka thënë se suksesi i tij nuk ka qenë i rastësishëm, pasi suksese më të vogla ka pasur edhe në të kaluarën në kategoritë e ndryshme në kikboks.

“Kam arritur të shpallem kampionë në ‘WAKO PRO’ i botës dhe mund të them lirisht se ky rezultat nuk është i rastësishëm për faktin se kam qenë edhe kampion i botës në WKU në profi dhe në amator, dhe dy herë të tjera nënkampion kampion bote në amator, kështu që ky ishte rrugëtimi im deri te titulli kampion bote në ‘WAKO PRO’, në federatën më të madhe në botë. Sfida për këtë sukses ka qenë e vështirë por, falë mbështetjes nga familja, por edhe të Klubit ‘Sport Center’, Federatës së Kikboksit të Kosovës dhe Ministrisë së Sportit arrita që Kosovën ta inkuadrojë në ranglistën e WAKO-s”, ka thënë Ahmetaj, i cili ndihet krenar me atë që ka arritur, kurse këtë sukses ua dedikon të gjithë shqiptarëve. “Ndihem krenar me titullin e fituar, sepse jo vetëm e kam nderuar veten dhe familjen, por edhe qytetin tim, Deçanin dhe mbarë Kosovën. Tash pres përkrahje edhe më të madhe nga shteti im, sepse konkurrenca është rritur për të më sfiduar për titullin kampion”, ka shtuar ai.

Duke folur për synimet që ka për të ardhmen në sportin e kikboskit, Ahmetaj ka deklaruar: “Synimet e mia janë të qarta: fillimisht ta mbroj titullin e fituar dhe të vazhdoj të bëj krenar të gjithë vendin me suksese. Gjithashtu, dua të jap kontribut në të gjitha format për sportin e Kosovës. E vetmja formë që mund ta ndërrojë atdheun është puna”.

Pavarësisht prej suksesit historik, drejtuesit e shtetit të Kosovës nuk kanë gjetur kohë për ta nderuar me pritje Ahmetajn, por ky i fundit beson se kjo çështje do të rregullohet shumë shpejt. Ai me këtë rast nuk la pa falënderuar edhe mediet për përkrahjen e dhënë.  “Jam shumë i lumtur se kam qenë i përkrahur para dhe pas suksesit nga të gjitha mediet elektronike dhe ato të shtypura. Jam falënderues për të gjitha urimet që kam marrë, kurse zyrtarët shtetërorë kanë qenë paksa të zënë, por besoj se shumë shpejt ata do të gjejnë kohë për ta takuar kampionin e botës. Normalisht se pres një nderim edhe më të madh nga shteti, pas suksesit që arrita në arenën ndërkombëtare”, ka deklaruar Ahmetaj.

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një grua që nuk gjente dot burrë u martua më…