Anulohen në tërësi votat për partitë boshnjake në shtatë komuna

08 mars 2021 | 13:33

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar në tërësi votat në zgjedhjet e 14 shkurtit, për subjektet politike boshnjake në komunat të banuara me shumicë serbe, siç janë Zubin Potoku, Shtërpca, Ranillugu, Graçanica, Parteshi, Kllokoti, Novobërda, Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Leposaviqi.

PZAP-ja ka miratuar pjesërisht apelet nga subjektet politike boshnjake Iniciativa Jonë (Nasha Iniciativa), Unioni Socialdemokrat (SDU) dhe Partia e Re Demokratike (NDS), të cilat kërkuan që të anulohen votat e ardhura nga komuniteti serb për partinë Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq.

Me këtë vendim, PZAP-ja ka anuluar 4,205 vota të cilat i kishte siguruar subjekti politik boshnjak, i udhëhequr nga Adrijana Hoxhiq, në komunat e banuara me shumicë serbe.

Hoxhiq, sipas rezultatit përfundimtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kishte fituar 6,422 vota apo një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkaq, koalicionit Vakat, i janë anuluar 583 vota, të cilat i ka fituar në këto komuna.

Unioni Socialdemorkat i Duda Bales, me këtë vendim të PZAP-së ka mbetur pa 165 vota si dhe Iniciativa Jonë ka humbur 9 vota, kurse Partia e Re Demokratike, 14 vota.

“Urdhërohet KQZ-ja që votat e përfshira në fletëvotimet e anuluara t’i largojë nga rezultati përfundimtar”, thuhet në vendim.

PZAP-i ka vendosur të anulojë mbi 800 vota për Iniciativën Rome, të cilat i kishte siguruar në komunat me shumicë serbe.

Iniciativa Rome ka siguruar 4,049 vota.

Përfaqësuesit politikë të komunitetit boshnjak, rom, ashkali dhe egjiptas pretendojnë se partia boshnjake“Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq” dhe “Iniciativa Rome” kanë siguruar vota në zgjedhjet e 14 shkurtit, me ndihmën e Listës Serbe.

Komunitetet joserbe thonë se këto dy parti në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë marrë vota në vendbanime ku nuk jetojnë këto komunitete.

Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese brenda 24 orëve në Gjykatën Supreme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka insistuar se në momentin…