As taksë e as reciprocitet, pushteti ia ndryshoi qëndrimet Albin Kurtit

27 shkurt 2020 | 23:17

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka marrë vendim që të hiqet taksa prej 100 për qind për lëndët e para nga Serbia dhe Bosnja.

Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, në një konferencë të jashtëzakonshme që ka mbajtur në orët e pasdites së sotme, ka bërë të ditur që ka marrë vendim për heqjen e pjesshme të taksës prej 100 për qind ndaj mallrave dhe produkteve serbe e boshnjake.

Por, si duket, pushteti ka ndikuar te Albin Kurti, pasi që ai dikur thoshte se taksa ndaj produkteve të serbe duhet të zëvendësohet me reciprocitet, raporton lajmi.net.

Por, sot Kurti tha se, reciprociteti ndaj Serbisë dhe Bosnjës do të vendoset më vonë, në rast se Serbia nuk ndalë fushatën kundër shtetësisë së Kosovës.

Mirëpo, gjatë vitit të kaluar jemi dëshmitar se kryeministri Albin Kurti, kishte deklaruar në dy intervista se taksa ndaj Serbisë nuk duhet të hiqet.

Ai thoshte se ajo duhet të ngelet, ndërsa ajo që duhet të shkojë është Qeveria Haradinaj.

Në janar të vitit 2019, Albin Kurti pati deklaruar se e përkrah Qeverinë Haradinaj për taksën dhe nuk duhet të zmbrapset dhe si e tillë kjo taksë duhet të mbetet.

Ai kishte kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke kërkuar kështu që Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj të dalë nga pushteti.

Edhe në një intervistë tjetër, Kurti pati deklaruar se meqë tani taksa është vendosur, nuk duhet të hiqet më, ajo duhet të mbetet.

Por nga ardhja e Kurtit në pushtet kanë ndryshuar qëndrimet e tij.

Në ditën e parë kur mori zyrtarisht detyrën si kryeministër ai në një konferencë për media, ka thënë se taksa 100 për qind do të hiqet dhe do të vendoset reciprocitet.

“Ne nuk i vendosim Serbinë dhe Bosnjën në të njëjtën fjali. Edhe për shkaqe historike dhe arsye aktuale. Konsiderojmë që jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë se me Serbinë do të kemi reciprocitet si zëvendësim për tarifën 100 për qind”, kishte thënë Kurti.

Por edhe në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kurti kishte deklaruar se edhe gjatë fushatës zgjedhore kishin bërë të ditur që taksa do  të vendoset me reciprocitet.

Mirëpo, krejt e kundërta ndodhi sot, më 27.02.2020, pasi që Kurti në konferencën e jashtëzakonshme bëri të ditur, se fillimisht Kosova do të heq taksën prej 90 ditësh, e më pas do të vendos masën e reciprocitetit, por e gjithë kjo do të bëhet, vetëm në rast se Serbia nuk ndal fushatën e saj kundër Kosovës.

“Në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminim të barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill do të fillojë implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e më pastaj edhe në atë ekonomike e politike. Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia, teksa vazhdohet implementimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit”, deklaroi Kurti të enjten.

Mirëpo, pavarësisht se Kurti nuk e pranoi, duket se presioni ndërkombëtar për heqjen e taksës ka bërë që të marrë këtë vendim vetëm pas më shumë se tre javësh që ka ardhur në pushtet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-bashkëluftëtarët e Kosovës Lindore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i…