ATK-ja për rastin e “Subvencioni 2021”: Do t’i hetojmë të gjitha bizneset dhe personat e përfshirë

26 shkurt 2021 | 20:52

Nga aksioni policor “Subvencioni 2021”, që nisi të mërkurën në disa lokacione të Kosovës, janë arrestuar 21 persona deri tash. 12 u arrestuan të mërkurën, njëri prej të cilëve u lirua me procedurë të rregullt, si dhe nëntë të tjerë u arrestuan të enjten.

Administrata Tatimore e Kosovës ka folur rreth hetimeve që janë në proces për keqpërdorimet në subvencione të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë që vepron në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Në një përgjigje për Klankosova.tv, ATK ka konfirmuar se pas hetimeve të zhvilluara nga Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës ndaj disa bizneseve dhe persona ka transaksione fiktive që janë përdorur për qëllime të mbulimit të shpenzimeve apo arsyetimit të mjeteve të pranuara si subvencion

“Departamenti Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës në ATK, gjatë zhvillimit të procedurave hetimore ndaj disa bizneseve të cilët kanë qenë të involvuar në transaksione fiktive (raste të ndara) ka konstatuar se disa nga këto transaksione fiktive janë përdorur për qëllime të mbulimit të shpenzimeve apo arsyetimit të mjeteve të pranuara si subvencione. Në raportet finale të dorëzuara për bizneset/ personat të cilët sipas Autorizimeve të lëshuara nga Prokuroritë përkatëse janë zhvilluar procedurat hetimore, përveç trajtimit për çështje tatimore janë potencuar edhe të gjeturat e konstatuara lidhur subvencionet e dhëna nga Ministria e Bujqësisë”, thuhet në përgjigje, njofton Klan Kosova.

“Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës është në procedurë hetimore edhe ndaj një numri të bizneseve dhe personave të involvuara në transaksione të dyshimta fiktive të përdorura edhe për qëllime të subvencioneve, dhe gjatë procedurave hetimore është bërë intervistimi i një numri të konsiderueshëm të bujqve, personave të dyshuar dhe bizneseve të përfshira në këto transaksione nga të cilët përmes intervistave të zhvilluara janë shpjeguar veprimet dhe procedurat të cilat janë ndjekur nga ana e tyre”.

Meqë rastet e cekura më lartë janë në fazë hetimore, ATK ka thënë se për momentin nuk mund të japin më shumë informacione.

Së shpejti pritet të ketë hetime edhe tek furrëtarët, mullinistët, mishtoret dhe bizneset të tjera e deri tek pranuesi i subvencioneve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeshefi i kompanisë për menaxhimin e mbeturinave në Gjakovë, Berat…