Automatiku i bartur nga nëna Z. i shërbeu UÇK-së të ZOK-ut

26 prill 08:39

-Këtë tregim i’a kushtoj nënës time Zahide (10.11.1931 – 26.04.2017), me rastin e njëvjetorit të vdekjes

Krismat e armëve të ushtrisë fashiste serbe dhe të lehurat e qenve të fshatit T, dëgjoheshin jo larg shtëpisë së nënës Z. Këto krisma e kishin zgjuar nga gjumi nënën, e cila së pari, si gjithherë, i kishte përsëritur duatë e mëngjesit, ishte lutur për fëmijët e saj, për nipat e mbesat, të cilët flinin qetësisht, pa ditur çka do të sjell dita e cila sapo agonte. Ata ëndërronin për një të ardhme më të mirë, për lirinë, që ndoshta ende nuk mund ta kuptonin, por e cila patjetër do të vijë një ditë. Njëri nga fëmijët bëri një gjysmë rrotullimi duke i mbetur shpatullat e zbuluara. Nëna Z. ia mbuloj trupin e zbuluar, e puthi në ballë dhe e pëshpëriti një lutje, siç dinë gjyshet, për nipat dhe mbesat e tyre.
Në një moment, nënës, iu kujtua fëmijëria e saj, atëherë kur gjyshja nga fshati D. e kishte humbur djalin e saj në moshën më të re. Edhe atëherë ishin ushtarët e pushtuesit të trojeve tona, prindërit e këtyre ushtarëve që ndodheshin edhe tani jo shumë larg shtëpisë së nënës, që ia kishin marrë djalin, dhe që nga ajo ditë e deri sot nuk i dihet varri. Përflitej se varri i tij është në fshatin Kuzhincë, një fshat i banuar me serb.

Edhe nëna Z. sa herë e kujtonte këtë ngjarje, e përmendte këtë fshat.

Asaj i kujtohet, po ashtu, se sa ishte e re gjyshja e saj, në fshatin D, e ruante, sipas traditës, me fanatizëm një kilogram sheqer, që e kishte blerë për djalin e saj në rast fejese.

Çdo mbrëmje merrte kilogramin me sheqer dhe i lutej zotit t`ia kthej djalin në shtëpi, të bënte një dasmë dhe ta shpenzonte sheqerin e ruajtur prej vitesh për dasmorët e thirrur.

Por kot, vitet kalonin e djali i saj nuk kthehej. Gjyshja, pas shumë vitesh pritje, pasi kishte humbur shpresat se djali i saj do të kthehej i gjallë, filloi t’i lutej zotit, së paku, t`ia gjente varrin e pastaj eshtrat e tij t’i sjell në varrezat e fshatit.
Mosgjetja e varrit, gjyshen nuk e lente rehat, i dhembte shpirti e thoshte se nuk do të mund t’i mbyll sytë pa e gjetur djalin, gjallë a vdekur.

Njëherë ajo iu kishte lutur babait tim, që të dilnin, të dy, së bashku ta kërkonin varrin e djalit, të humbur para shumë vitesh, pa e ditur se ku. Dhe kështu, në një mëngjes vjeshte, gjyshja dhe babai, edhe pse nuk dinin se nga të shkonin, ishin nisur. Ajo përmendte vetëm një emër të një fshati, pa e ditur vendndodhjen e tij. Disa thoshin se ky fshat ndodhet diku larg në Malësinë e Dardanës, disa të tjerë thoshin se ndodhej afër Prishtinës, pra, askush nuk e dinte vendndodhjen e saktë të këtij fshati.

Thanë do të pyesim kalimtarët e rastit për fshatin Kuzhincë. Me vete kishin marrë ushqim. Pyetnin kalimtarët, por të gjithë i rrudhnin krahët, nuk dinin vendndodhjen e këtij fshati. Po gjyshja dhe babai vazhdonin kërkimin. Ndaleshin në varrezat e çdo fshati, i pyetnin fshatarët, a mos vallë dinin për një djalë të ri të vrarë nga ushtria serbe. Varre të shqiptarëve të vrarë kishte.

Gjyshja nga fshati D. dhe babai im vazhdonin rrugën nga fshati në fshat nga varreza në varrezë, por kot, nuk kishin kurrfarë informate për djalin e saj. Pas disa ditë kërkimi vendosën të kthehen në shtëpi. Rrugës për në shtëpi, gjyshja e uritur dhe e lodhur, kishte hasur në një pengesë dhe ishte rrëzuar. Ajo i kishte thyer dhëmbët, por nuk kishte ndier kurrfarë dhimbje, sepse dhimbja për djalin ishte shumëfish më e madhe.  Po nuk dinin se të kujt janë. I kishin varrosur pa asnjë mbishkrim, pa asnjë informatë. Ishte një ditë e ftohët kur babai dhe gjyshja u kthyen në shtëpi. Ne, fëmijët iu afruam gjyshes dhe e përqafuam të gjithë së bashku, për t`ia larguar sadopak dhimbjen që kishte në shpirt. I afruam ujë dhe bukë po gjyshja nuk hante, vetëm përsëriste fjalë që edhe sot më kujtohen:

“S`mundi nëna me bë gjë më tepër, biri i nënës, por jam e lumtur që i humba dhëmbët për Ty”.

Disa krisma të njëpasnjëshme e larguan nënën Z. nga ai kujtim i tmerrshëm, e mbuloi fytyrën me duar duke thënë disa dua që nëna i përsëriste çdoherë kur i epej mundësia.
E largoi batanijen nga dritarja që vihej për çdo mbrëmje, që dritat të mos duken nga ushtria serbe. Rrezet e diellit i përqafuan nipat dhe mbesat, sikur donin t’i premtonin nënës se, do t’i ruanin të mos i ndodhin gjë këtyre krijesave të pafajshme.
Me frikën e ditës së re, ajo zbriti ngadalë shkallëve, hyri në dhomë për ta parë djalin e saj të madh, i cili veç kishte vite që ishte në shërbim të UÇK-së, për të marr një mirëmëngjesi nga ai, po dhoma ishte e zbrazët.
Nëna ndjeu një dhimbje të madhe në shpirt. U ul në ulësen afër dritartës, ku dukeshin lëvizjet e asaj ushtrie të mallkuar që kishte ardhur në tokën e nënës Z. në tokën që ia kishin lënë të parët e saj.

Djalit të madh në mbrëmje i kishte ardhur porosia se duhej patjetër ta kryente detyrën, të cilën ia kishin ngarkuar. Ai që me natë ishte ngritur, pa i treguar askujt, për ta kryer porosinë. Pas marrjes së detyrës, në një vend ku duhej të kalonte, rruga ishte bllokuar nga forcat ushtarako policore serbe. Situata ishte e rënduar, por djali duhej të ndërmerrte diçka. Automatikun që e kishte me vete, duhet për momentin ta lente diku, se vetëm kështu do të mund t’i shpëtonte kapjes nga ushtria serbe, të cilët kishin vendosur një rrethim të hekurt e bënin kontroll edhe të zogjve që fluturonin. Shpejt iu kujtua se aty afër është një shtëpi shqiptare. Edhe pse ishte e rrethuar me shtëpi serbe, vendori të trokas. Pasi hyri në oborr dhe pasi u përshëndet me të zotin e shtëpisë, i hodhi një shikim oborrit duke u ndalur te koteci. Mendoj, aty duhet ta fsheh automatikun derisa ta kryej detyrën e ngarkuar. E mbuloi me tjegulla që rastësisht kishin qëlluar aty dhe iku.

Derisa nënës Z. i silleshin mendime të frikshme në kokë për djalin e saj, u dëgjuan të trokiturat në dyert e oborrit. I theri zemra aq fort, sa nuk u rrëzua. Mblodhi veten dhe doli në oborr duke pyetur veten. Vallë kush do të jetë në këtë kohë të pakohë? Mos janë ata të mallkuar që sillen vërdallë nëpër fshat dhe vijnë ta kërkojnë djalin?! Hapi derën dhe përpara i doli një mesoburrë. Pasi u përshëndet me nënën, ai i tregoi në mënyrë të hollësishme për djalin e saj për hallin që e kishte sjell deri aty. Mes tjerash i tha se, djali i saj ishte i ngarkuar me detyrë, po rrugës djali ishte informuar, se rruga për ku ishte nisur, është e bllokuar nga ushtria serbe. Derisa detyra duhej të kryhej patjetër, ai armën që barte, e ka lënë në shtëpinë time.

Nëna e kuptoj shqetësimin e të sapo ardhurit dhe me një vendosmëri të madhe iu zotua se, sa më shpejt të jetë e mundur, do të vij ajo vetë ta marr e ta sillte në shtëpi. I sapoardhuri mbet shumë i kënaqur me vendimin e nënës, dhe u largua pa bërë zë për në qytetin ku ai banonte.
Nëna Z. kishte marrë një vendim shumë të vështirë, po duhej kryer pa marr parasysh pasojat që do t`i dilnin. Ashtu e shqetësuar u kthye në dhomën e saj dhe pa humbur kohë, veshi rrobat e saj, që gjithherë i vishte kur merrte ndonjë rrugë, zbriti në dhomën tjetër, ku fëmijët e djalit ishin duke qëndruar. Ata kur pan fytyrën e gjyshes e rrethuan dhe filluan ta pyesnin, se çka ishte aq shumë e shqetësuar?
Fëmijët kur dëgjuan rrëfimin e gjyshes mbetën të shtangur, por nuk u hamendën, donin t’i ndihmonin. Njëri nga fëmijët u shqetësua më tepër se të tjerët, sepse ishte i vetmi që e dinte historikun e automatikut.

Iu kujtua xhaxhai i cili kishte blerë këtë automatik për nevojat e një celule që i takonte edhe ai vetë, të cilin disa vite e kishin mbajtur shokët e tij në qytet, iu kujtuan edhe dy shokët që njihte shumë mirë, iu kujtua edhe e trokitura dhe zëri i I., shokut të xhaxhait që jetonte në qytetin e Gj. dhe xhaxhai që doli e mori trastën dhe shakat e tyre derisa hynë brenda në dhomë. kujtua në moment edhe rrëfimi i shokut të xhaxhait pasi e kishte sjell armën.

“Gjendja në qytet gjithnjë e më tepër po vjen duke u vështirësuar. Janë duke u bërë kontrolle të shpeshta të policisë serbe në qytet. Armën që po e mbajmë, e shpesh e kemi bartë edhe në qytet, tani është rrezik që ta humbim. Pas vëzhgimeve që i kemi bërë e jemi duke i bërë unë dhe T. presim se do të na arrestojnë policia, dhe gjatë arrestimit mund të ndodhë që të na gjendet arma, e cila është shumë e nevojshme për luftën e cila së shpejti do të jemi të detyruar ta fillojmë në vetëmbrojtje. Ngaqë nuk është momenti ende të fillohet luftë e hapur me policët serbë, e mund ta humbin një armë shumë të vlefshme na u dashtë të mendojmë se si do t’ia bëjmë me automatikun. Me shokun T. e analizuam gjerë e gjatë se ku është më mirë të qëndrojë automatiku i celulës deri sa të na duhet për veprim. Erdhëm në përfundim, se, më i sigurt është të jetë në fshatin T. Këtë mendim e ka aprovuar më parë edhe shoku S.

Pas këtij vendimi, futa automatikun në një trastë të thjeshtë, e mbulova me molla të blera në treg, kinse për fëmijët, dhe dola në stacionin e autobusëve që nuk ishte edhe aq larg. Në stacion kishte lëvizje të pakta; ndonjë njeri aty këtu, edhe ata ishin më tepër qytetarë serbë. Gjeta autobusin që vinte deri në qytetin e K. Në autobus ulem diku kah mesi pranë dritares. Trastën e vendosa pak më larg në sirtarët e tavanit të autobusit duke u munduar që të largojë dyshimin e shoferit dhe të udhëtarëve tjerë, që shumica ishin serb. Shqiptarët në këtë kohë lëviznin shumë pak, lëviznin vetëm në raste të domosdoshme.

Unë duke e ditur se autobusi qarkullon rrugës kryesore, ashtu siç kishte qenë gjithmonë, hipa në të, por pas disa minutash mori drejtim krejt tjetër, duke u futur, kështu edhe nëpër fshatrat e banuara vetëm me serbë: R. e Ko. gjë që më parë kjo nuk kishte ndodhur. Në fillim mendova se më paska hetuar UDB-ja dhe fillova të shqetësohem, megjithatë më duhej ta ruaja gjakftohtësinë, duke ia lëshuar sytë herë pas hera trastës ku e kisha vendosur. Ndalesat e autobusit në fshatrat serbe, u bënë vetëm për të zbritur udhëtarët, edhe pse prisja që në çdo moment të hynte dikush nga ato hijet e zeza. Fatmirësisht kjo nuk ndodhi. Posa doli autobusi në rrugën kryesore, mora frymë më lirisht, jo pse frikësohesha për vete, po mendoja për pasojat që do t’i kishte familja ime. Dhe kur autobusi u ndal në fshatin tuaj, T. mora trastën, zbrita ngadalë, dhe , sigurisht mora frymë lirisht. Dhe ja erdha tek ju së bashku me “shokun tim”. Njërit prej fëmijëve të djalit, kjo ngjarje i doli përpara si një episod filmi

Këtë automatik që duhet të shkonte ta merrte gjyshja, e kishte pastruar shumë herë. Në moment iu dhimbs pa masë. Nuk mund të rrinte duarkryq, përkundër rrezikut, duhej të vepronte edhe ai, nuk mund ta lente gjyshen vet.
Mori veturën, i bëri gjyshes me shenjë që të hynte brenda. Ajo e kundërshtoi, sepse e dinte rrezikun dhe nuk dëshironte që të rrezikohej, por vendosmëria e tij nuk e la gjyshen të mendohej gjatë. Ai duke ditur se qarkullimi përgjatë rrugës kryesore është rrezik, për shkak të lëvizjes së ushtrisë serbe, vendosi që të shkonin në një rrugë dytësore.

Gjyshja gjatë gjithë rrugës mendonte se si ta bind që të kthehet apo të ndalojë diku më afër, në mënyrë që ai të mos rrezikohej. Në një moment iu duk se gjeti një zgjidhje. Iu lut që me veturë ta dërgonte vetëm deri në fshatin K., i cili ishte edhe fshati i lindjes së nënës Z. e pastaj nga aty do ta vazhdonte rrugën në këmbë deri në shtëpinë ku djali i saj e kishte lënë automatikun.

– Kthehu në shtëpi, se tani unë shkoj në këmbë, se tani edhe nuk është larg.

– Iu bind fjalëve të gjyshes me vështirësi, duke i thënë asaj se do të pres këtu, në
këtë vend, deri sa ajo të kthehet.

Vapës së madhe të asaj dite dhe diellit kërcëllues, nëna Z. nuk donte t`ia dinte. Mendja i rrite vetëm te fjala që ia kishte dhënë të sapoardhurit:

– Se do të vijë më shpejt të jetë e mundur.

Edhe pse në moshë, ajo ecte me hapa të shpejt, po edhe rrugët ishin të njohura për nënën Z, sepse, si fëmijë kishte ecur nëpër këto rrugë. Sa e sa herë kishte kaluar me bagëti. Pasi kaloi rrugët arriti tek vendi ku i kishte sjell me qindra herë bagëtinë për pushimin e drekës. Këto rrugica, vendi i ruajtjes së bagëtisë, për një moment e larguan nga qëllimi i këtij udhëtimi. Dhe, pa e vërejtur rrugën e mbetur, arriti tek shtëpia. Pa trokitur hapi portën, dhe hyri në oborr, ku e priste plaka e shtëpisë, e cila ishte moshatare me nënën Z. Shpejt e shpejt, të shqetësuara, ndërruan disa fjalë të zakonshme të takimit të rastit. Plaka i solli ujë dhe bukë sipas traditës, po nëna Z. nga shqetësimi, lodhja e rruga e gjatë, piu vetëm ujë dhe u ulë në shkallët e shtëpisë. Nuk kishte kohë për të humbur, duhej sa më shpejt të nisej për në shtëpi.

Pasi shikuan rreth e rrotull shtëpisë, e cila ishte e rrethuar me shtëpi serbe, dhe pasi u bindën se askush nuk po i vëzhgonte, shkuan te vendi ku ishte automatiku. E mori nëna Z. në duar. Ishte hera e parë që kishte në dorë armën, edhe pse e kishte parë disa herë prej së largu, kur djemtë e pastronin. Automatiku ishte i ftohtë dhe kishte një peshë që nëna s’e kishte menduar. Iu duk i rëndë, ndoshta për shkak të moshës.

Biseduan me plakën e shtëpisë se si ta maskonin që të mos vërehej gjatë rrugës. Vendosën që armën ta mbështjellin me përparësen që e kishte dhuratë nga shoku i djalit, T., dhe ta vendos në shpinë. Përveç përparëses nëna ishte e mbuluar mirë, bile kishte marrë edhe tesha tjera shtesë, se e kishte menduar këtë me kohë.
Pasi u strehuan në një vend të përshtatshëm, ku s’shihej nga shtëpitë serbe, nëna Z. e mbështolli mirë e mirë dhe e vendosi mbi shpinë duke e lidhur për trupi me litar në mënyrë që të ishte sa më stabile dhe të ecte më lirisht rrugës për në shtëpi.

Deri sa dy plakat merreshin me rregullimin e automatikut në anën tjetër të murit dëgjoheshin këngë dhe krisma armësh, bëhej festë nga ushtria e policia serbe. Dy plakat nuk donin t`ia dinin. Ato vazhdonin punën e tyre për ta maskuar sa më mirë armën.
Për të vërtetuar se arma ishte përforcuar mirë e nuk vërehej, nëna Z. eci disa hapa para e prapa. Pasi u bindën se automatiku në shpinën e nënës Z. ishte mbuluar mirë, ajo piu një gotë ujë dhe pa humbur kohë të dyja dolën nga oborri i shtëpisë, duke marr rrugën e kthimit për në shtëpi.

Ecnin që të dyja duke biseduar e duke pasur kujdes që mos të bien në sy edhe të atyre që ishin bërë një me ushtrinë e policinë serbe. Pas disa kilometrash nëna Z. u përshëndet me plakën e shtëpisë duke i kërkuar falje për atë që i kishte ndodhë kësaj shtëpie.
Ashtu e vetmuar vazhdoi rrugën. Përkundër peshës së madhe që mbante në shpinë, tash nëna Z. ishte më e lehtësuar, sepse e kishte kryer me sukses premtimin e dhënë. Ajo gjithashtu thoshte me vete, se tani le të ndodhë çka të ndodhë, unë jam e vetme dhe vetëm unë do të përgjigjem për veprimet e mia.

Cicërimat e zogjve dhe gurgullimat e lumit e bashkëshoqëronin nënën dhe sikur i thoshin:
– Moj nënë ti nuk je e vetme, ne do të bëjmë shoqëri dhe s`lejojmë te të ndodhë ndonjë e keqe. Na jep edhe ne një pjesë të barrës që mban mbi supe.

Forma gjarpërore e rrugës dhe e lumit prishej vetëm pak kilometra në hyrje të fshatit K. Aty filluan të duken edhe lëvizjet e pakta të fshatarëve të cilët vëreheshin në fytyrë se ishin shumë të brengosur për situatën, ngase në çdo moment mund t’i ndodhte fshatit ndonjë e papritur e frikshme. I frikoheshin ndonjë masakre, sikurse ndodhte në pjesët tjera të Kosovës.

Zhurma e fëmijëve, që ishte mësuar ta dëgjonte nëna Z., ishte zhdukur, e kishte ngrënë kuçedra serbe. Në ara e fusha nuk dukej njeri. I gjithë fshati jetonte me friken e masakrës nga ushtria dhe paraushtarakët serbë. Kjo heshtje varri ishte më e rënd se automatiku që mbante.
Ashtu e lodhur, sa nga pesha, sa nga rruga, sa nga qetësia në fshat, nëna vazhdoi rrugën për te vendtakimi. Kaloj urën e cila ndodhej vetëm disa metra larg vendit ku e priste njëri nga fëmijët e djalit, dhe, ashtu të heshtur, pa ndërruar asnjë fjalë vazhduan rrugën për në fshatin T.

Edhe pse nëna Z. ishte tash në veturë, pesha e merakut ishte shumëfish më me madhe se sa kur ishte vetëm me peshën e automatikut. Ashtu në heshtje i lutej Zotit ti shpëtonte nga ky rrezik.

Vetura ecte me shpejtësi normale për të mos rënë në sy të ushtrisë dhe policisë serbe, pozicionet e të cilëve nuk ndodheshin edhe aq larg fshatit T.
Pas disa minutash vetura hyri në oborrin e shtëpisë. Pa bërë zhurmën më të vogël, nëna Z. zbriti nga vetura dhe ashtu e kujdesur, së bashku e vendosën automatikun në një vend të sigurt.

Nëna Z. mori frymë lirshëm, jo nga pesha e automatikut, por nga përmbushja me sukses e fjalës që i kishte dhënë burrit që kishte hyrë në shtëpi dhe i ishte lutur për largimin e armës, nga shtëpia e tij.

Fjala besë për nënën, edhe pse në moshë , kishte kuptim shumë të madh, peshonte më shumë se jeta e saj. Ishte tepër e lumtur që fjalën e dhënë e dërgoi në vend, e bëri realitet.

Shpëtimi i jetës së djalit dhe njërit nga fëmijët e tij, sikurse edhe shpëtimi i armës, për nënën Z., ishin vetë jeta e saj. Automatiku i bartur nga nëna i shërbeu UÇK-së të ZOK-ut, ndërsa nëna Z. vazhdoi jetën e lumtur së bashku me djemtë, vajzën dhe nipat e mbesat e saj.

Gani Shala, Janar 2018

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, është shprehur i pakënaqur…