Avokati i Popullit reagon për ndërtimin e hidrocentralit në Pejë

25 shkurt 2019 | 16:06

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka bërë me dije se është duke i monitoruar nga afër reagimet dhe pakënaqësitë e qytetarëve lidhur me ndërtimin e hidrocentralit në lumin Lumbardh.

Edhe pse zhvillimi i formave të ndryshme të sigurimit të energjisë së qëndrueshme është procesi pashmangshëm dhe kërkesë e kohës, Avokati i Popullit sjell në vëmendje se të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pacenueshme dhe bazë e rendit juridik në Republikës së Kosovës; dhe kërkon që shteti ta vlerësojë me kujdes interesin në mes të rëndësisë së prodhimit të energjisë përmes hidrocentraleve në raport me ndikimin në mjedis, që mund të jetë i rëndë.

Avokati i Popullit konsideron se është më se e nevojshme që institucionet ta shqyrtojnë seriozisht kërkesën e qytetarëve për mbrojtjen e lumit dhe mjedisit si një e vetme dhe e patjetërsueshëm, në mënyrë që të bëhet balancim i drejtë në mes të interesave të qytetarëve për mbrojtje të mjedisit,të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të zhvillimit të hidroenergjisë.

Avokati i Popullit rikujton të gjithë se e drejta e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e vendit dhe me standardet ndërkombëtare, proces i cili i jep mundësi secilit që të ndikojë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor ku ajo ose ai jeton.

“Institucionet, në veçanti, duhet ta respektojnë të drejtën e qytetarëve për informim për çështjet mjedisore, si proces i pashmangshëm, i cili duhet t’i paraprijë çdo projekti me ndikim në mjedis.

E drejta për informata mjedisore, e drejta e publikut në vendimmarrje mjedisore dhe qasja në drejtësi janë të drejta të njeriut dhe parime mbi të cilat bazohet i tërë legjislacioni që rregullon fushën e mjedisit në vend”, është thënë në deklaratën e Avokatit të Popullit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e…