Bajrami pas arrestimit të kryeshefit të Ibër-Lepencit: Partinë në pushtet e ka kapluar korrupsioni

14 korrik 2023 | 13:20

Deputetja e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se Lëvizjen Vetëvendosje e ka kapluar korrupsioni.

Ky reagim i Bajramit vjen pas arrestimit të kryshefit të “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka.

“‘Koordinimi me Radoiçiqin’ do të mbetet nën hije, partinë në pushtet e ka kapluar korrupsioni. I fundit i arrestuar për korrupsion është eksponenti i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, i cili kundërligjshëm është bërë drejtor në ndërmarrjen publike ‘Ibër Lepenci’. Pra, arrestimi i Faruk Mujkës paska ndodhur për shkak të korrupsionit. Nagip Krasniqi i KEK-ut u arrestua për korrupsion. Martin Berishaj po hetohet për disa vepra penale”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Më tutje, ajo ka shtuar se “pra, kemi një parti në pushtet që është përfshirë në korrupsion, koordinohet dhe bashkëpunon me Radoiçiqin”.

Ndryshe, Prokuroria Speciale ka konfirmuar sot se është bastisur prona e Faruk Mujkës, kryeshef ekzekutiv i Bordit të Ndërmarrjes Hidro-ekonomike “Ibër-Lepenci”, dhe ish-drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Mitrovicës, Hysen Muzliukaj.

Prokuroria ka njoftuar se në dy pronat e bastisura ka sekuestruar 60 mijë euro.

“Nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës, Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka kryer bastisje në këto dy lokacione, pronë e dy të dyshuarve. Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë (60.000.00) euro”, ka njoftuar prokuroria.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit F.M dhe H.M, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lionel Messi ka zbarkuar në Amerikë, ku do të vijojë…