“The Ball 2018” mori bekimin e Kosovës

02 maj 2018 | 14:00

Me moton “Një Top, një Botë” (One Ball, One World), në ambientet e objektit të ri të Komunës së Prishtinës është mbajtur aktiviteti “The Ball 2018”, një event ky në bashkëorganizim të Federatës së Futbollit të Kosovës, “Spirit of Football”, “Friedrich Ebert Stiftung”, “Cross Cultural Project Association” dhe “Football Unites Nations”.

Pjesëmarrës në këtë event ishin presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, kryetari i KK të Prishtinës, Shpend Ahmeti, Frank Hantke nga FES dhe Andrew Aris nga FUN. Kjo ngjarje u organizua për herë të parë në Kosovë, derisa rrugëtimi i këtij topi ka nisur më 25 mars në Londër, derisa pasi ka kaluar në disa shtete evropiane ka ardhur edhe në Kosovë, për të vazhduar më pas në shtete tjera dhe për të përfunduar në muajin qershor në Rusi, aty ku do të mbahet Botërori 2018.  Në mesin e personaliteteve që e kanë nënshkruar këtë top janë edhe presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, pastaj trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp dhe shumë personalitete tjera të njohura.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve në këtë event, presidenti Fadil Vokrri, ka spikatur rolin e madh që ka topi dhe loja e futbollit në bashkimin e popujve pa dallim, për të arritur paqen, mirëkuptimin dhe dashurinë mes tyre. “Kosova dhe Federata e Futbollit e Kosovës, ndjehet jashtëzakonisht e nderuar që ju ka dhënë rasti që edhe futbollistët dhe futbollistet tona të jenë pjesë e këtij projekti dhe nënshkrimit të topit krahas figurave të mëdha politike e sportive, për t’i dhënë bekimin këtij topi që do të arrijë në evenimentin më të madh sportiv – Kampionatin Botëror të futbollit ‘Rusia 2018’. Sa do që nënshkrimet janë një simbolikë,  në vet vete flasin për një fakt,  që tashmë shteti i Kosovës është i  pranishëm kudo në botë dhe me këtë edhe fryma sportive e sportistëve të Kosovës është aty me të gjithë”, ka theksuar presidenti Vokrri.

Në fund të këtij aktiviteti u bë edhe nënshkrimi i topit nga presidenti Fadil Vokrri, kryetari i KK të Prishtinës, Shpend Ahmeti, përfaqësuesi i FES, Frank Hantke, si dhe nga futbollistja e Kombëtares së Kosovës –femrat, Edona Kryeziu dhe nga futbollisti i Kombëtares U21 të Kosovës, Mirlind Daku, qo do të jenë edhe ikona të këtij projekti për Kosovë. Në kuadër të këtij projekti gjatë dy ditëve të ardhshme në Prishtinë do të mbahen edhe aktivitete tjera.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sheshit “Shumadia” në veri të Mitrovicës, përveç përmendores së “Car…