‘Ballkani i Hapur’, nismë e dështuar që nga përpara?!

03 gusht 2021 | 10:30

Shkruan: Shqiprim Pula

Republika e Kosovës po kalon nëpër njërën ndër fazat më kritike të zhvillimit të vet, ç’është e vërteta, edhe më parë, por tani specifikisht me idenë e ‘Ballkani i Hapur’ duke pasur mbështetës dhe kundërshtarë mbi trendet pozitive e negative mbi këtë iniciativë.

Është mirë të jemi për ndryshime. Por, ndryshimet duhen paraprakisht analizuar e propozuar mbi shumë çështje, e sikundër edhe motivet e angazhimet për to. Prandaj, konsideroj, se realiteti dhe e ardhmja historike e shoqërisë jo vetëm se nuk e kërkon, por as nuk e lejon të tashmen të braktisë përcaktimin e të ardhmes pro-perëndimore.

Republika jonë, duhet t’iu përgjigjet shumë temave e nismave që shtrohen në kohëra të ndryshme të zhvillimit, por krahas vlerave që duhen ruajtur të sistemit kushtetues.

Ideja, nisma mbi ‘Ballkani i Hapur’ do të duhej, domosdoshmërish të merr referencë praktika si kriter substancial si zgjidhje për rajonin e rrjedhimisht për shtetet nënshkruese të kësaj iniciative.

Po a janë të barabartë në aspektin ekonomik shtetet nënshkruese të kësaj iniciative? JO, sepse ekonomitë e shteteve nënshkruese as për së afërmi nuk janë të barabarta, sepse eksportet në 2020 të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ishin në këto shuma: Shqipëria 2.23 miliardë Euro; Bosnja 5.36 miliardë; Kosova 0.47 miliardë; Mali i Zi 0.34 miliardë; Maqedonia e Veriut 5.58 miliardë dhe Serbia 17.05 miliardë.

Në përllogaritje del të jetë se pesë shtetet së bashku në po të njëjtin vit i kishin t’i kenë 13.98 miliardë Euro eksport, ndërkaq Serbia e vetme 17.05 miliardë.

Atëherë, të bashkohesh rreth një ideje apo të përbashkohesh rreth një nisme, siç e menduar, e para dhe para së gjithash, duhet të jesh i barabartë sepse vetëm të barabartit mund bashkërisht të kenë të ardhme.

Natyrisht, e ardhmja, mund të jetë gjithqysh, por ide apo nisma si “Ballkani i Hapur’ nuk duhet vënë në pikëpyetje parimet e barabarësisë.

Po ashtu, katër parimet substanciale mbi të cilat është ngritur Unioni Europian, nuk gjejnë prekje reale e të sinqertë me shtete hegjemoniste, si Serbia, andaj politikat e fqinjësisë së mirë dhe jetësimi i katër parimeve të UE-së, si kategori juridike, bëhen të realizuara plotësisht dhe barabarësish vetëm atëherë kur të gjykohet e kaluara dhe kërkohet kërkim-falja.

E deri atëherë, çdo ide apo iniciativë, sado bukur e prezantuar, do jetë gjysmake dhe sipërfaqësore nëse do ketë trysni nga qarqe të caktuara mbi qeveritë e vendeve tona.

Në kuptim kushtetues e politik, aktualisht nuk mund të ketë veprim(e) të duhura juridike mbi iniciativën e tillë, po vetëm veprim(e) të porositura dhe të përshtatura nga politika.

Kosova kujdesshëm duhet analizuar këtë iniciativë dhe sigurisht duhet të veprojë me sens të përgjegjësisë institucionale-shtetërore lidhur me gjendjen në vend dhe rajon, e pse jo të ofrojë edhe ndonjë platformë si zgjidhje e opsione të shqyrtimit paralel për të shmangur ‘deja vu’ rajonale.

Deshën apo nuk deshën protagonistët dhe porositësit e kësaj nisme, pa një kuvendim me Kosovën përkatësisht qeverinë e saj, është e gjykuar që të dështojë.

(Autori është njohës i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri i Kosovës, lideri i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar…