Bashkimi Evropian propozon paketën e ndihmës për Ukrainën prej 18 miliardë eurosh për vitin 2023

09 nëntor 2022 | 16:58

Bashkimi Evropian prezantoi të mërkurën një plan për t’i ofruar Ukrainës rreth 18 miliardë euro ndihmë financiare vitin e ardhshëm në pagesa të rregullta për të ndihmuar vendin e shkatërruar nga lufta që të mbajë funksionimin e objekteve të tij të energjisë dhe të kujdesit shëndetësor, si dhe të financojë pagat dhe skemat e pensioneve.

Sipas medieve të huaja, dega ekzekutive e BE-së, Komisioni Evropian, tha se ndihma do të përfshinte kredi me kushte jashtëzakonisht të favorshme me vlerë rreth 1.5 miliard euro çdo muaj, ndoshta duke filluar nga janari.

Ukraina nuk do të duhet të rimbursojë fondet për të paktën një dekadë dhe vendet anëtare të BE-së do të mbulojnë kostot e interesit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se Ukrainës do t’i nevojiten 3-4 miliardë dollarë çdo muaj në vitin 2023.

Kontributi i 27 vendeve të BE-së do të krahasohet me Shtetet e Bashkuara, ndërsa donatorë të tjerë dhe institucione financiare pritet të plotësojnë hendekun.

“Ukraina ka nevojë për ndihmën tonë”, ka thënë zëvendëspresidenti ekzekutiv i Komisionit, Valdis Dombrovskis teksa zbuloi planin.

Ai tha se qeveria në Kiev ka nevojë për financim “të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm”.

Në të njëjtën kohë, BE pret që ajo të trajtojë më mirë mashtrimin dhe korrupsionin dhe të forcojë sundimin e ligjit.

Komisioni synon të marrë hua paratë në tregjet e kapitalit duke përdorur peshën e kombinuar të 27 vendeve për të siguruar kushte më të favorshme.

Një pjesë e përpjekjeve do të përfshinte ristrukturimin e një pjese të buxhetit afatgjatë të BE-së dhe kjo kërkon miratimin unanim të vendeve anëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi Vedat Muriqi po shkëlqen me fanellën e Mallrocas në…