Beqiri tregon pengun si futbollist dhe ëndrrën si gjyqtar

18 janar 2019 | 17:58

Ish-futbollisti i Drenicës nga Skenderaj, Besar Beqiri, për “Epokën e re” ka thënë se punën që e kryen si gjyqtar i futsallit e bën me shumë krenari dhe se do të mundohet ta prezantojë Kosovën në mënyrën më të mirë në arenën ndërkombëtare.

Besar Beqiri është një nga sportistët me një histori mjaft të veçantë, pasi karrierën e nisi si futbollist dhe pritet ta përfundojë si gjyqtar. Beqiri për “Epokën e re” ka folur për jetën e vet, duke treguar edhe ëndrrën që nuk arriti të realizonte asnjëherë. “Kam filluar të merrem me futboll shumë herët. Në moshën 16-vjeçare kam startuar si junior në KF Drenica. Një vit më vonë kam kaluar në ekipin e parë si portier i dytë. Në Drenicë kam qëndruar pesë vjet, pastaj jam larguar për një sezon te Hajvalia, sërish jam kthyer në Drenicë, por si portier i parë. Në moshën 25-vjeçare e kam përfunduar karrierën dhe pengu më i madh është mosarritja e fitimit të një trofeu me skuadrën e Drenicës”, ka thënë Beqiri.

Ish-portieri i skuadrës së Drenicës tash është gjyqtar i futsallit, detyrë të cilën e kryen me mjaft përkushtim dhe pasion të madh. Për daljen në garat ndërkombëtare, Beqiri e bën meritor legjendën e futbollit të Kosovës dhe ish-kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin, i cili ka ndërruar jetë në qershor të vitit të kaluar. “Të them drejtën si futbollist ashtu edhe gjyqtar ke vështirësi, por ndihem më mirë në punën që e bëj tash. Gjyqtarët vendosin dhe kjo të bën përgjegjës për veprimet që i merr, kurse personalisht përpiqem gjithmonë që të marr vendimin më të drejtë. Jam i lumtur që kam arritur të bëhem gjyqtar me stemë të FIFA-s për çka kam punuar jashtëzakonisht shumë, por kjo është meritë e ish-kryetarit të Federatës, Fadil Vokrri, i cili punoi shumë që edhe ne të jemi të barabartë me gjyqtarët e shteteve të tjera”, ka shtuar ai.

I pyetur se cila është ëndrra më e madhe për të ardhmen, Beqiri është përgjigjur: “Synimet për të ardhmen janë ta kryej punën me përkushtimin më të madh dhe ta prezantoj futbollin e Kosovës dhe Federatën e Futbollit në mënyrë sa më të mirë në arenën ndërkombëtare”.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur të premten në…