Liria mbyll sezonin në krye të Ligës së Parë, gara për Superligë dhe mbijetesë pritet të jetë e fortë në pranverë
Me përfundimin e ndeshjeve të xhiros së 18-të, është mbyllur edhe sezoni vjeshtor në Raiffeisen Ligën e Parë të Kosovës në futboll. Pas 18 xhirove, Liria e Prizrenit e kryeson tabelën me 42 pikë, duke u pozicionuar si njëra prej skuadrave kryesore në garën për inkuadrim në Superligë.
Prizrenasit kanë zhvilluar një sezon shumë të mirë deri më tani dhe duket se e kanë marrë seriozisht objektivin për rikthim në elitën e futbollit kosovar. Megjithatë, gara nuk është aspak e përfunduar, pasi Ferizaj dhe Prishtina e Re ndajnë pozitën e dytë dhe të tretë me nga 36 pikë.
Ferizaj e mbylli sezonin vjeshtor me një fitore të rëndësishme ndaj Lirisë, duke triumfuar me rezultat 3:1, ndërsa Prishtina e Re fitoi si mysafire ndaj Trepçës ’89 me rezultat 1:0.
Në mesin e skuadrave që kanë treguar paraqitje të mira është edhe Dinamo, e cila renditet në pozitën e katërt me 31 pikë, po aq sa Istogu në vendin e pestë. Një rikthim pozitiv ka shënuar edhe Vëllaznimi i Gjakovës, që pas fitores 2:0 ndaj Tefik Çangës është ngjitur në pozitën e gjashtë me 30 pikë.
Përmirësim të lojës dhe rezultateve ka treguar edhe Ramiz Sadiku. Skuadra prishtinase e mbylli xhiron e fundit me fitore 2:1 ndaj Kikës dhe tashmë ka 20 pikë në pozitën e 12-të.
Në pjesën e poshtme të tabelës, situata mbetet më e vështirë. Mitrovica, me vetëm 12 pikë, dhe Tefik Çanga, me 14 pikë, do ta kenë një mision të vështirë në sezonin pranveror. Në garën për mbijetesë pritet të përfshihen edhe skuadra të tjera, pasi diferencat mes disa ekipeve nuk janë të mëdha.
Sezoni pranveror, i cili nis vitin e ardhshëm, pritet të sjellë rivalitet të fortë si në luftën për tri pozitat e para, ashtu edhe në përpjekjet për të siguruar mbijetesën në Ligën e Parë.
Rezultatet e xhiros së 18-të
- Istogu – Suhareka 4:2
- 2 Korriku – Lepenci 2:2
- Trepça ’89 – Prishtina e Re 0:1
- Vjosa – Besa Pejë 2:2
- Vëllaznimi – Tefik Çanga 2:0
- Ramiz Sadiku – Kika 2:1
- Mitrovica – Trepça 0:0
- Rilindja 1974 – Dinamo 1:1
- Ferizaj – Liria 3:1
Tabela përfundimtare pas 18 xhirove




