Berisha e Meta firmosin marrëveshjen për bashkëpunim në zgjedhjet lokale

27 tetor 2022 | 12:51

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 14 maj 2023.

Para se të hidhnin nënshkrimet në marrëveshje, dy aleatët opozitarë, Berisha e Meta zhvilluan një takim ‘kokë më kokë’, e më pas zyrtarizuan marrëveshjen e tyre.

Në marrëveshjen me 6 pika, dy aleatët tashmë në opozitë pajtohen që t’i ofrojnë Shqipërisë një alternativë fituese në zgjedhjet lokale, që përfaqëson sipas tyre, vetëm interesat e qytetarëve dhe interesin më të lartë publik.

Në marrëveshjen e firmosur, palët pajtohen që konkurrimi për kryetarët e Bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, ndërsa Këshillat Bashkiake, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla.

Berisha e ka quajtur marrëveshje historike, paktin e nënshkruar me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, që dy liderët të bashkojnë forcat për zgjedhjet e 14 majit.

“Moment historik në zhvillimin politik të Shqipërisë. Ky moment shënon marrëveshjen për betejën dhe fitoren e sigurt të opozitës në Tiranë dhe në Shqipëri”, ka thënë Berisha.

Ndërkaq kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, marrëveshjen e arritur me Berishën e cilësuar si garanci për rezultate pozitive të opozitës në zgjedhjet lokale të 14 majit.

“Është marrëveshja më parimore, që i shërben demokracisë. Referendumet, primaret, transparenca, llogaridhënia do të bëjnë të mundur të kemi një sovran që i ka të gjitha mjetet për të mbajtur në kontroll të gjithë ata që i delegon pushtetin. Shpreh kënaqësi që angazhimi madhor që unë dhe Partia e Lirisë ka marrë mbrëmjen e 25 korrikut sot merr mbështetje të madhe nga PD-ja, si forca më e madhe opozitare, për referendumet”, ka deklaruar Meta.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xavi Hernandez është ende i tronditur nga eliminimi i hershëm…