Berisha: Gjendja shëndetësore e Isa Mustafës drejt përmirësimit

05 shkurt 2018 | 22:10

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tash e një kohë është duke u trajtuar në Gjermani, për shkak të disa problemeve shëndetësore.

Gjendja e tij tashmë është duke shkuar drejt përmirësimit.

Besnik Berisha, këshilltar i Isa Mustafës, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ish kryeministri i vendit, Isa Mustafa, i është nënshtruar një ekzaminimi mjekësor në qendrën e terapisë fizikale në Gjermani në të cilën ai po qëndron tash katër javë.

Ai ka shtuar se mjekët e qendrës kanë thënë se gjendja shëndetësore e kreut të LDK-së po shkon drejt përmirësimit. Por, që sipas mjekëve, ai do të duhet të qëndrojë në këtë qendër edhe për një kohë.

“Sot e kanë pas një ekzaminim, progresi është evident. Fizioterapia vazhdon deri në vlerësimin tjetër të gjendjes”, ka thënë Berisha për Express.

Në muajin janar, Isa Mustafa ishte trajtuar në një spital privat në Prishtinë, siç thuhet për shkak të një gripi, për të vazhduar më pas trajtimin në Gjermani.

Zyrtarë të LDK-së vazhdimisht kanë potencuar se gjendja e Mustafes është stabile dhe sipas tyre i njëjti shumë shpejt do të kthehet në shtëpi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në lidhje me vendimin e fundit të Komunës, në bashkëpunim…