Besnik Tahiri kundërshton mënyrën e trajtimit të pakos së pesë ligjeve për reformën në drejtësi
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kundërshtuar mënyrën se si po trajtohet pakoja e pesë ligjeve për reformën në sistemin e drejtësisë.
Në një reagim pas mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, Tahiri ka shprehur shqetësimin se kjo reformë po shtyhet përpara pa u përfshirë në mënyrë të mirëfilltë komentet dhe rekomandimet e shoqërisë civile, si dhe amendamentet e propozuara nga opozita.
Ai ka theksuar se një reformë e tillë nuk mund të konsiderohet gjithëpërfshirëse nëse nuk përfshin dialogun dhe kontributin e të gjithë akterëve të përfshirë në proces.
Sipas Tahirit, një qasje e njëanshme rrezikon që pakoja ligjore të mbetet vetëm produkt i shumicës parlamentare, pa konsensusin e nevojshëm për një reformë të kësaj rëndësie.
Reagimi i tij:
Sot, në Komisionin për Legjislacion e kundërshtova mënyrën se si po trajtohet pakoja e pesë ligjeve për reformën në sistemin e drejtësisë. Është thellësisht shqetësuese që një reformë e kësaj rëndësie po shtyhet përpara pa përfshirje reale të komenteve dhe rekomandimeve të shoqërisë civile dhe pa reflektuar amendamentet përmbajtësore të opozitës.
Nuk mund të flasim për reformë të drejtësisë, integritet, transparencë dhe përafrim me standardet e Bashkimit Evropian, ndërkohë që injorohen zërat e akterëve që duhet të jenë pjesë e këtij procesi.
Një pako që nuk reflekton konsultimin, dialogun dhe kontributin e shoqërisë civile e të opozitës, nuk mund të konsiderohet reformë gjithëpërfshirëse. Ajo rrezikon të jetë vetëm një produkt i shumicës parlamentare, pa legjitimitetin e nevojshëm dhe pa konsensusin që kërkon një reformë kaq e rëndësishme.
Reforma në drejtësi nuk bëhet duke përjashtuar, duke injoruar dhe duke imponuar. Bëhet përmes dialogut, llogaridhënies dhe gjithëpërfshirjes.
Drejtësia nuk mund të reformohet me procese të njëanshme politike.
Pra, reformë pa gjithëpërfshirje nuk ka!



