Veprimtari Sali Bislimi merr pjesë në konferencën për zgjerimin e BE-së në Lozanë, diskuton edhe njohjen e Kosovës

24 nëntor 2026 | 13:57

Veprimtari nga Kosova, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, drejtor i “Zërit Perëndimor të Kosovës”, Sali Bislimi, ka marrë pjesë në një konferencë-debat me temën “Zgjerimi i BE-së: Eksperienca e Rumanisë dhe Bullgarisë në proces”, e organizuar nga Fondacioni Jean Monnet në ambientet e Universitetit të Lozanës.

Bislimi ka bërë të ditur se në këtë konferencë ka pasur rastin të zhvillojë biseda me personalitete nga Rumania dhe Bullgaria, përfshirë Sandra Pralong, ish-këshilltare në Presidencën Rumune dhe autore e disa veprave, ish-ministren bullgare për Çështjet Evropiane, Gergana Passy, si dhe ambasadorin bullgar, Svetlan Stoev.

Gjatë bisedës me Sandra Pralong, Bislimi ka ngritur çështjen e mosnjohjes së Kosovës nga Rumania.

Sipas tij, Pralong ka shprehur simpati për popullin e Kosovës, duke theksuar se populli rumun nuk ka asgjë kundër Kosovës, por se pengesat lidhen me çështje politike, përfshirë edhe praninë e një minoriteti të madh hungarez në Rumani.

Ajo, sipas Bislimit, ka shprehur bindjen se proceset e integrimit evropian mund të ndikojnë pozitivisht në zhvillimet e ardhshme dhe në mundësinë që Rumania ta njohë Kosovën edhe de jure.

Bislimi ka vlerësuar se takimet e tilla janë të rëndësishme për ndërtimin e urave të miqësisë dhe për thellimin e komunikimit me përfaqësues të vendeve të ndryshme.

“Takimet janë shumë frytdhënëse, forma më e mirë e ndërtimit të urave të miqësisë!”, ka shkruar ai.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari,…