Beteja e 5-7 marsit epope lirie dhe fillim i kryengritjes së armatosur të prirë nga UÇK-ja

06 mars 2023 | 08:34

Shkruan: Valon Murati

Fillimi i vitit 1998 paralajmëronte se status quoja në Kosovë ishte e paqëndrueshme. Pushtuesi serb e dinte këtë.

Një përpjekje për ta ndaluar ndryshimin e status quos e kishte bërë në fillim vitin e 1997 me goditjen e organizatave çlirimtare – UÇK-së dhe LKÇK-së – duke arrestuar shumë anëtarë të tyre e me ekzekutimin e Zahirit, Edmondit e Hakifit. Por kjo nuk i kishte ndal, shkatërruar e as frikësuar luftëtarët e lirisë.

Ata ishin riorganizuar dhe radhët po shtoheshin. Tani sipas pushtuesit serb duhej dhënë goditja përfundimtare këtyre përpjekjeve. Goditja duhej të ishte e tillë që shqiptarëve t’u hynte frika në palcë. Duhej mbyllur njëherë e mirë dera tek shtëpia e shqiptarit për rrugën e vetme që kishte gjasa të sillte lirinë, atë të politikës së luftës çlirimtare.

Dhe në këtë synim të pushtuesit, ata kishin menduar se nuk ka objektiv më të duhur se Adem Jashari, Hamza e baca Shaban me familje, se Prekazi e Drenica, që ishin bërë jo vetëm simbol i pathyeshmërisë së UÇK-së dhe shpirtit kryengritës e të pamposhtur të shqiptarit, por që nga viti 1991, qendër e hapur e rezistencës që kishte turpëruar disa herë falangat e pushtuesit serb.

Por pushtuesit, sado finok, arrogantë e me vetëbesim për forcën superiore policore e ushtarake të jenë, zakonisht në këto kalkulime bëjnë gabime. Llogaritë çdo herë iu dalin gabim, sepse dëshira për liri është më e fuqishme se çdo pushtet, sado i pamposhtshëm të duket nga jashtë.

Kështu ajo që ndodhi m 5-7 mars të vitit 1998 do të hyjë në analet e historisë botërore, si epopeja e lirisë së një familjeje në emër të një populli në fund të shekullit 20-të në Evropën që krenohej se themelet i kishte tek konceptet si liria, të drejtat e njeriut e demokracia. Për më tepër synimi i pushtuesit serb dështoi.

Lufta tre ditore e Komandant Ademit me familje, rënia në altarin e lirisë të gati tërë familjes Jashari që ishte pjesë e betejës, me gra, e fëmijë, nuk i frikësoi e ligështoi shqiptarët. Përkundrazi, kjo betejë, kjo rezistencë, ky flijim i vetëdijshëm në funksion të lirisë, zgjoi shqiptarët përfundimisht nga letargjia e një paqeje të rrejshme me pushtuesin.

Shqiptarët e bën të kundërtën e synimit të pushtuesit. Nën shembullin e sakrificës së pashembullt të familjes Jashari, ata iu bashkuan radhëve të UÇK-së për ta filluar marshin që nuk u ndal deri në çlirimin e Kosovës.

Kështu që 5-7 marsi realisht është fillimi i kryengritjes së armatosur të popullit shqiptar kundër pushtuesit serb. Kjo kryengritje i dha fund pushtimit të Kosovës dhe e shndërroi këtë sakrificë lire në një vlerë universale të njerëzimit sepse përpjekja jonë çlirimtare në fund u përkrah edhe nga bota demokratike politikisht dhe ushtarakisht.

Të vobekta janë fjalët që mund të shkruaj njeriu për të shprehur nderimin për ditët e lavdishme të 5-7 marsit. Le të shërbej sakrifica e Adem Jasharit me familje si një rikujtim sesa me vlera është liria që gëzojmë sot. Të shërbej shëmbëlltyra e komandantit për ta përparuar më tej e zgjeruar lirinë në funksion të çuarjes deri në fund të amanetit të tij dhe në funksion të një jete më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe shqiptarëve kudo që ata jetojnë.

Nderim e lavdi e përjetshme për dëshmorët e 5-7 marsit dhe gjithë dëshmorëve të kombit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj…